Skenari më i keq për amerikanët e varfër: Për shkak të mbylljes së qeverisë nuk ka para për kuponët ushqimorë

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka paralajmëruar shtetet federale se mund të mos ketë fonde të mjaftueshme për pagesën e plotë të Programit të Ndihmës Shtesë për Ushqim (SNAP) nëse mbyllja e qeverisë vazhdon pas muajit tetor, raporton Axios.

Ky është paralajmërimi më i fundit për pasojat që do të shkaktojë vazhdimi i bllokimit të buxhetit, pasi pritet që pjesëtarët e ushtrisë të humbasin pagën e tyre të parë, ndërsa agjencitë federale të fillojnë shkurtimet masive të stafit.

“Siç është theksuar në memorandumin tonë për ndërprerjen e financimit nga 1 tetori 2025, SNAP ka fonde për pagesat dhe kostot operative vetëm deri në fund të tetorit,” thuhet në letrën e Ronald Ward, ushtrues detyre i ndihmës administratorit të SNAP-it, dërguar agjencive shtetërore, në të cilën Axios ka pasur qasje.

Në letër paralajmërohet se pagesat për muajin nëntor, që përfitojnë rreth 42 milionë amerikanë, mund të preken nga mbyllja e qeverisë.

Sipas udhëzimit, shtetet nuk duhet të fillojnë procesin e shpërndarjes së fondeve në kartat elektronike të përfituesve (EBT) për muajin nëntor deri në një njoftim të ri.

“Duke marrë parasysh sfidat operative dhe kufizimet në sistemet automatike, si dhe për të ruajtur fleksibilitetin maksimal, jemi të detyruar t’u kërkojmë shteteve të mbajnë dosjet e tyre për pagesat e nëntorit dhe të shtyjnë dërgimin e tyre te furnitorët e EBT-së,” thuhet në letrën zyrtare.

Një burim i informuar i tha Axios-it se nëse fondet do të transferoheshin në karta, kjo do të përbënte shkelje të Ligjit për Mospërdorim të Fondeve Publike (Antideficiency Act), që ndalon agjencitë federale të shpenzojnë para që nuk janë miratuar nga Kongresi.

Kujtojmë se për shkak të mosmarrëveshjes midis udhëheqësve të Demokratëve dhe Republikanëve mbi financimin e përkohshëm, qeveria e SHBA-së është në mbyllje që nga 1 tetori.

Mbyllja e fundit e ngjashme ndodhi në fund të vitit 2018 dhe fillim të 2019-s, po ashtu gjatë mandatit të Trumpit, dhe zgjati 35 ditë, duke u bërë mbyllja më e gjatë qeveritare në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Kategoritë
BotaLajme