Skandal në Uashington: Në zyrën e një kongresmeni amerikan u gjet një flamur me kryqin nazist

Në zyrën e kongresmenit republikan Dave Taylor nga shteti Ohio, është zbuluar një flamur amerikan me simbol nazist – svastikë (kryq i thyer). Vetë Taylor e ka dënuar ashpër incidentin, duke theksuar se po bashkëpunon plotësisht me Policinë e Kapitolit, e cila ka nisur një hetim zyrtar.

Flamuri u pa gjatë një takimi virtual

Flamuri me simbolin nazist u vu re gjatë një mbledhjeje virtuale, në sfondin e një punonjësi të zyrës, të quajtur Angelo Elia. Për momentin, nuk dihet nëse ky punonjës ka ndonjë lidhje me vendosjen e flamurit, raportoi portali Politico, i cili publikoi i pari rastin. Policia e Kapitolit e hoqi menjëherë flamurin nga zyra.

Taylor reagoi publikisht duke thënë:

“Jam në dijeni të fotografisë që duket se tregon një simbol të neveritshëm dhe thellësisht të papërshtatshëm pranë një punonjësi të zyrës sime. Kjo pamje nuk pasqyron vlerat apo standardet e mia dhe të stafit tim. E dënoj pa rezerva këtë akt.”

Ai shtoi se ka urdhëruar një hetim të brendshëm të hollësishëm dhe se do të presë përfundimin e hetimeve para se të japë komente të tjera.

Dyshime për “sabotim” ose “vandalizëm”

Flamuri u zbulua të martën pasdite në ndërtesën Cannon Building, ku ndodhet zyra e Taylor-it. Sipas zëdhënësit të policisë, kongresmeni dyshon për një akt sabotimi ose vandalizmi.

Skandal pas skandali

Ky incident ndodh vetëm një ditë pasi portali Politico zbuloi se disa liderë të të Rinjve Republikanë kishin shkëmbyer mesazhe raciste dhe shaka për Holokaustin në një bisedë në aplikacionin Telegram, duke lavdëruar Adolf Hitlerin.

Hetimet të vështirësuara nga “shutdown”-i

Hetimi mund të vështirësohet nga bllokimi i funksionimit të institucioneve federale për shkak të “shutdown”-it”, pra mungesës së buxhetit të miratuar nga Kongresi.
Sipas Politico-s, kur zëdhënësit e policisë u pyetën për koment, përgjigjja automatike ishte se zyra është mbyllur përkohësisht për shkak të ndërprerjes së financimit dhe do të hapet sapo fondet të miratohen.

Kategoritë
BotaLajme