Skandal në Turqi: Pezullohen 149 gjyqtarë të futbollit për bastvënie – mes tyre edhe 22 nga Superliga

Komisioni Disiplinor i Federatës Turke të Futbollit (TFF) ka pezulluar plot 149 gjyqtarë për një periudhë nga tetë deri në dymbëdhjetë muaj, pasi u zbulua se janë përfshirë në bastvënie për rezultatet e ndeshjeve. Ndërkohë, ndaj tre gjyqtarëve të tjerë është hapur procedurë disiplinore.

Hetimi: 371 gjyqtarë me llogari bastesh

Sipas rezultateve të hetimit, nga gjithsej 571 gjyqtarë të regjistruar në ligat profesionale të Turqisë, 371 kanë llogari aktive në platforma bastesh, ndërsa 152 prej tyre janë përfshirë drejtpërdrejt në vendosjen e basteve.

Në mesin e të pezulluarve janë 22 gjyqtarë të Superligës turke – shtatë kryesorë dhe pesëmbëdhjetë ndihmës – të cilët kanë gjykuar ndeshje të nivelit më të lartë të kampionatit.

“Gjykimi është profesion nderi”

Presidenti i TFF-së, İbrahim Hacıosmanoğlu, tha se ky skandal përbën një njollë të rëndë për futbollin turk:

“Gjykimi është një profesion i ndershëm, dhe kushdo që e njollos këtë nder nuk do të ketë më vend në futbollin turk.”

Bastet masive dhe shuma të mëdha

Sipas deklaratës së Federatës, 10 gjyqtarë kanë vendosur më shumë se 10.000 baste secili, ndërsa 42 të tjerë kanë bërë mbi 1.000 pagesa në platformat online. Një prej tyre është zbuluar se ka vendosur mbi 18.000 baste në periudhë të ndryshme kohore.

Aktualisht nuk është bërë e ditur nëse ndonjëri nga gjyqtarët e pezulluar është bastvënë edhe për ndeshje që i ka gjykuar vetë.

Kategoritë
Sport