Sipas një hetimi të përbashkët të Der Spiegel (Gjermani), De Tijd (Belgjikë) dhe portalit investigativ Direkt36 (Hungari), shërbimet hungareze të inteligjencës janë përpjekur të infiltruarin agjentë të tyre në institucionet e Bashkimit Evropian, gjatë periudhës kur Oliver Várhelyi, aktualisht komisar evropian për Shëndetësinë, ishte ambasador i Hungarisë në Bruksel.
Hetimi tregon se agjentët hungarezë janë paraqitur si diplomatë dhe bashkëpunëtorë të afërt të Várhelyit, duke operuar nën mbulesën e misionit diplomatik të Hungarisë pranë BE-së në periudhën 2015–2019, dhe madje edhe më herët, kur ai shërbente si këshilltar ligjor në të njëjtën mision.
Një ish-anëtar i misionit hungarez në Bruksel ka pohuar për këto media se ekzistonte një rrjet i tërë spiunësh, të cilët kërkonin çfarëdo informacioni, madje edhe “thashetheme” që lidhnin Komisionin Evropian dhe zyrtarë të lartë të tij.
Një burim tjetër, që ka pasur kontakte me agjentët hungarezë, ka zbuluar se atij i ishte ofruar para për t’u bashkuar me shërbimin sekret hungarez, ndërsa i ishte premtuar edhe mbështetje financiare për një organizatë të afërt me të.
Sipas hetimit, diplomatëve dhe zyrtarëve të BE-së me origjinë hungareze u ishin ofruar promovime dhe përfitime profesionale në këmbim të bashkëpunimit — shpesh duke iu bërë thirrje ndjenjës së “detyrës patriotike”.
Pas zbulimit të këtij skandali diplomatik, Komisioni Evropian ka nisur një hetim të brendshëm të gjerë, megjithëse roli i saktë i Várhelyit në ngjarje mbetet i paqartë. Për momentin, ai nuk është pezulluar nga detyra.
“Për momentin kemi të bëjmë vetëm me akuza. Do të zhvillojmë një hetim të plotë. E marrim këtë çështje jashtëzakonisht seriozisht,” tha për Politico zëdhënësja e Komisionit Evropian, Paula Pinho.
Megjithëse Várhelyi mbetet përkohësisht në detyrë, është njoftuar se do të zhvillohet një bisedë konfidenciale midis tij dhe presidenteve të Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për të sqaruar rrethanat e rastit.