Simbol i pajtimit: Mbreti Charles mbërrin në vizitë historike në Vatikan, do të lutet me Papën Lavin

Mbreti Charles dhe mbretëresha Camilla mbërritën mbrëmë vonë në Romë, ku do të vazhdojnë vizitën shtetërore në Vatikan, në kuadër të së cilës mbreti do të lutet së bashku me Papën për herë të parë që nga Reformacioni i shekullit XVI.

Mbreti Charles do të bëhet monarku i parë britanik që lutet me Papën që prej ndarjes së Kishës së Anglisë nga Roma në kohën e mbretit Henri VIII.
Ceremonia do të mbahet në Kapelën Sikstine, ku do të marrin pjesë klerikë dhe kore nga Kisha Katolike dhe Kisha e Anglisë, e cila e njeh mbretin si kryetar suprem të saj.

Sipas CNN, kjo vizitë konsiderohet një simbol i rëndësishëm i pajtimit ndërfetar.

Lutje e përbashkët në Kapelën Sikstine

Gjatë vizitës, Mbreti dhe Mbretëresha do të takohen me Papën Lavin dhe zyrtarë të lartë të Vatikanit.
Do të mbahet edhe një shërbesë ekumenike e veçantë, që do të bashkojë traditat katolike dhe anglikane, ku Mbreti dhe Papa do të luten së bashku.

Ceremonia në Kapelën Sikstine do të fokusohet në mbrojtjen e mjedisit, duke reflektuar angazhimin personal të mbretit për kauzat ekologjike, por njëkohësisht do të shërbejë si shenjë harmonie midis dy denominacioneve fetare.
Kori i Kapelës Sikstine do të këndojë së bashku me korin e Kapelës së Shën Gjergjit dhe korin e Kapelës Mbretërore të Madhërisë së Tij.

Ngjarje pa precedent që nga shekulli XVI

Sipas njoftimeve të Pallatit Buckingham dhe Kishës së Anglisë, nuk ka pasur kurrë më parë një moment të ngjashëm në të cilin një monark britanik dhe Papa të luten krah për krah në një shërbesë të përbashkët, që prej ndarjes së mbretit Henri VIII nga Selia e Shenjtë në shekullin XVI.

Kategoritë
BotaLajme