Megjithatë, ndryshe nga veriu i Kosovës, në Serbinë qendrore ekziston një numër i konsiderueshëm njerëzish jeta e të cilëve nuk varet nga buxheti, dhe një problem i veçantë për pushtetin është mungesa e efikasitetit të “artilerisë mediatike” nga niveli kombëtar kundër nismave qytetare lokale. Për këtë nevojitet dhunë direkte në terren, e cila, sërish, kërkon specialistë që nuk janë nga vetë mjedisi lokal. Pikërisht ashtu siç Milan Radoiçiq në Mitrovicën e Kosovës e kishte drejtuar dhunën kundër njerëzve që nuk ishin fqinjët apo miqtë e tij të vjetër.
Burimet e Radarit tregojnë, megjithatë, se krahas sulmeve ndaj qytetarëve dhe pjesëmarrësve në protesta, prioriteti më i madh aktual i regjimit është ndalimi i shpërbërjes së vetë organizatës së tij — dhe se grupi nga Banjskë dhe vetë Radoiçiq po përdoren gjithashtu për të rivendosur disiplinën e tronditur partiake.
“Kemi një situatë ku anëtarësia në SNS tani është bërë barrë, sidomos në vendbanime të vogla. Kosjeriçi është rast interesant, sepse pushteti i SNS-së atje është formuar me vetëm një deputet më shumë, dhe mendoj se prania e Radoiçiqit atje ka për qëllim forcimin e strukturës së pushtetit partiak që është tronditur rëndë“, thotë për Radarin një burim nga veriu i Kosovës që ka kërkuar të mbetet anonim.
“Pushteti kërkon nga udhëheqësit lokalë më shumë angazhim, dhe kjo shpesh nënkupton përplasje me fqinjët e tyre. Vuçiqin, siç duket, nuk e shqetëson nëse ai ose anëtarët e familjes së tij do të mund të dalin në rrugë pas gjithë kësaj — e vetmja gjë që ka rëndësi është ruajtja e pushtetit, çdo gjë tjetër është dytësore. Por në nivel lokal nuk është aq e thjeshtë, sepse bëhet fjalë për njerëz që takohen çdo ditë në rrugë“, deklaroi ai.
Edhe pse angazhimi i kuadrove nga Kosova ka sjellë disa herë aksione të dhunshme dhe pasoja për pushtetin e Vuçiqit për shkak të rezistencës së qytetarëve, ish-nënkryetari i Listës Serbe – për të cilin Vuçiq kishte deklaruar se nuk e njihte – është angazhuar në mbrojtjen e regjimit që nga protesta e madhe më 15 mars.
Receta kosovare për Serbinë qendrore
“Përveç sigurimit personal që ia ofrojnë ‘Kobrat’ (njësia elitare e ushtrisë serbe), njerëzit e Radoiçiqit prej një kohe të gjatë ndodhen në Parkun e Pionirëve përballë Presidencës. Ata janë linja e parë e mbrojtjes – dhe janë njerëz që nuk mund të blihen, por vetëm të shantazhohen. Këta njerëz, përfshirë edhe vetë Radoiçiqin, nuk përbëjnë kurrfarë barre për këtë pushtet – janë thjesht material harxhues. Sot kemi një situatë ku ata angazhohen në vendbanime të vogla, sipas sistemit ‘Kur të kthehet ushtria në Kosjeriç’. Topin zanor nuk e kanë përdorur kundër policisë së Kosovës që arreston njerëz në protesta, por në Beograd – dhe zbatimi i të njëjtave receta të provuara nga veriu i Kosovës në Serbinë qendrore është po ajo metodologji e tradhtisë“, thotë për Radarin Milivoje Mihajloviq, gazetar dhe njohës i mirë i çështjes së Kosovës.
Ndërkohë që vazhdojnë sulmet ndaj qytetarëve protestues, sipas tij, vendi po futet në borxhe në mënyrë të pamëshirshme, bëhet gjithnjë e më i varur nga ndikimet e huaja dhe po shkatërrohet arsimi.
Kjo është e njëjta recetë, thotë Mihajloviq, sipas të cilit projekti i preferuar i këtij pushteti është “që të gjithë njerëzit normalë të largohen nga vendi, dhe të mbesin vetëm votuesit e SNS-së – ashtu siç në Kosovë nuk ka vend për serbët që kundërshtojnë, apo që thjesht duan një jetë normale”.
Shënimi i turpshëm i përvjetorit të sulmit terrorist në Banjskë me flakadanë në Kalemegdan dhe Petrovaradin tregon dëshpërimin e pushtetit, i cili po përpiqet të ndryshojë narrativin për atë ngjarje, por edhe për ngjarje të tjera pas të cilave u përshpejtua rënia e përkrahjes së tij dhe të shefit të tij — si p.sh. shkaku i shembjes së mbulesës në stacionin hekurudhor në Novi Sad.
Sipas burimeve të Radarit, është shenjë që pas përpjekjes dështuar për të siguruar azil në Federatën Ruse për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, ai vetë para një numri të mjaftueshëm njerëzish – që mund t’ua përcillnin Vuçiqit – tha se nuk i shkon në mendje të kërkojë azil në lindje.
Burimet e Radarit theksojnë se kjo mund të jetë njëfarë mesazhi se ai, përmes kontakteve të tij personale, është në gjendje të sigurojë një marrëveshje më të favorshme për vete, pa ndihmën e regjimit. E pushteti, kur bëhet fjalë për të dërguarin e tij për Kosovën, ka dy zgjedhje: ose ta dorëzojë te autoritetet në Prishtinë, ose ta fshehë diku jashtë Serbisë.
Megjithatë, duke pasur parasysh sasinë e madhe të parave, por edhe logjistikën në formë të njerëzve që varen plotësisht prej tij dhe prandaj i janë besnikë, kjo nuk do të shkojë lehtë.
Sidomos duke qenë më se e qartë se ish-nënkryetari i Listës Serbe disponon edhe informacione nga vetë sistemi dhe duket qartë se mund të gjejë ende “postar” që do t’i përcjellin të gjitha lajmet e rëndësishme.
Nga ana tjetër, zhytja e Serbisë në atë lloj diktature të një bande kriminale, për të cilën fliste Oliver Ivanoviq, do të kërkonte një strukturë shumë më të madhe të bandave dhunshme, por edhe të njëjtat metoda të shkatërrimit të strukturës shoqërore përmes dhune ekstreme dhe operacionesh të reja nën flamur të rremë, në të njëjtin model si ajo në Banjskë më shtator 2023, që përfundoi me vdekjen e katër njerëzve.
Të gjithë frikësohen nga një skenar i tillë. Zbatimi i tij me sukses do të nënkuptonte humbje të lirisë dhe jetë në frikë për shumicën dërrmuese të qytetarëve që duan që Serbia të bëhet një shtet normal, demokratik dhe i bazuar në ligj. Dhe parandalimi i një skenari të tillë kërkon rezistencë ndaj bandës kriminale, e cila ka treguar tashmë se nuk i vlen shumë për jetët e të tjerëve. /Telegrafi/