Si e sheh Irani negociatat: Nuk nguten, thonë se SHBA-ja duhet të ndryshojë qëndrim

Nga Irani kanë ardhur reagimet e para pas dështimit të bisedimeve me Shtetet e Bashkuara për përfundimin e luftës. Agjencia shtetërore e lajmeve Fars thotë se “nuk ka plan” për raundet e ardhshme të negociatave, ndërsa nga Ministria e Jashtme theksohet se një marrëveshje nuk mund të pritej nga vetëm një takim.

“Irani nuk ka ngut dhe përderisa Shtetet e Bashkuara nuk pranojnë një marrëveshje të arsyeshme, nuk do të ketë ndryshim në statusin e Ngushticës së Hormuzit”, citohet nga Fars një burim nga ekipi negociator iranian.

Për negociatat foli edhe zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei, i cili deklaroi se mosmarrëveshjet rreth “dy ose tre çështjeve kyçe” penguan arritjen e një marrëveshjeje me SHBA-në në Islamabad.

Baqaei tha për televizionin shtetëror IRIB se palët kishin rënë dakord për disa çështje, por se ekzistojnë “dallime në qëndrime” për të tjera.

Ai përdori një ton më të butë sa i përket vazhdimit të negociatave, duke theksuar se “diplomacia nuk ndalet kurrë”.

“Nuk duhet të pritej që të arrihej një marrëveshje në një seancë të vetme. Mendoj se askush nuk kishte një pritje të tillë”, u shpreh ai.

Baqaei shtoi se Irani do të mbetet në kontakt me Pakistanin, ndërmjetësin e bisedimeve, si dhe me “miq të tjerë në rajon”, pa sqaruar nëse Teherani planifikon të vazhdojë negociatat me SHBA-në.

Kujtojmë se bisedimet maratonë mes dy palëve në Islamabad, të cilat zgjatën gjatë gjithë natës, nuk çuan në një marrëveshje për përfundimin e luftës.

Nënpresidenti amerikan JD Vance e quajti rezultatin “lajm të keq” për Iranin, ndërsa ish-nënpresidenti iranian Ataollah Mohajerani deklaroi për Fars se është “lajm më i keq për SHBA-në”.

“SHBA-ja propozoi negociatat, organizoi ndërmjetësin dhe pranoi dhjetë kushte iraniane për bisedime, por u përpoq të arrinte në tryezën e negociatave atë që nuk arriti në fushëbetejë”, tha Mohajerani.

Delegacioni iranian u largua nga Islamabadi rreth mesnatës sipas kohës lindore të SHBA-së (ET), raportuan mediat shtetërore.

Kategoritë
BotaLajme