Punëtorëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës nuk po iu paguhen ndërrimet e natës, rrezikshmëria e madje as puna në ditët e festave.
Një nga punëtorët, që ka preferuar të qëndrojë anonim, ka konfirmuar për IndeksOnline se çështjen ka kohë që e kanë adresuar, por nuk kanë marrë përgjigje.
“Ndërrimet e natës që dy muaj nuk kanë dalë, rrezikshmëria nuk na është pagu me vjet, ndërkaq të punuarit në ditët e festave prej majit nuk na është pagu. Këtë shqetësim e kemi adresu në drejtorinë tonë, e këta e kanë përcjellë te Shërbimi Korrektues. Na kanë thënë që çështja është në duar të thesarit, t’u ia hedhë fajin njëri-tjetrit. Asnjë s’po na jep përgjigje adekuate ose të saktë” deklaroi ai.
“Kjo po na ndikon shumë në ekonomitë familjare. Prej kësaj page ne varemi. Secili i ka shqetësimet e veta” shtoi ai.
Një tjetër punëtor deklaroi për IndeksOnline se kjo situatë po detyron punëtorët të lënë edhe punën.
“Oficerët janë shumë të frustruar nga kjo situatë. Disa po e lënë edhe punën, krejt për shkak të këtyre gjërave që s’kanë kurrfarë shpjegimi. Jemi në kolaps! Njerëzit kanë kredi, mbajnë familje. Nuk guxojmë të protestojmë se ndëshkohemi, e s’kemi as sindikatë ku të ankohemi”, tha ai.
Orari i punës në SHKK është i rregulluar në turne 12-orëshe, ku punohet një ditë e tërë dhe një ndërrim i natës që pasohet nga dy ditë pushim.
Për të marrë më shumë sqarime, IndeksOnline ka kontaktuar Shërbimin Korrektues të Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje.
Nga pyetjet e parashtruara rreth çështjes së pagave, IndeksOnline nuk ka marrë përgjigje as nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve./IndeksOnline/