Shqipëria ka thënë të martën se e ka parë me “keqardhje të thellë” një komunikatë të Ministrisë së Jashtme të Serbisë në fundjavë lidhur me Kosovën, duke thënë se “historia nuk rishkruhet me retorikë, ajo mbahet mend me përgjegjësi”.
Reagimi i Ministrisë shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme vjen pasi Ministria serbe hodhi një sërë akuzash ndaj Kosovës dhe presidentes së saj, Vjosa Osmani, në një komunikatë më 4 tetor.
Osmani e kishte kritikuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, se po bënte “thirrje të pamatura për luftë”, pasi lideri serb kishte thënë se “të gjithë po përgatiten për luftë”.
Ministria shqiptare tha se komunikata e Ministrisë së Jashtme serbe “përpiqet të rikthejë hijet e së shkuarës mbi një rajon që po përpiqet të ecë drejt së ardhmes”.
Ajo tha se dëshiron “t’ia kujtojë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë disa të vërteta historike, që lidhen me shkaktarët e vërtetë të ngjarjeve tragjike të vitit 1999, ngjarje që sollën vrasje, spastrime etnike dhe dëbimin me forcë të rreth një milion shqiptarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre”.
Forcat serbe i vranë mbi 13.000 civilë gjatë luftës në Kosovë më 1998 dhe 1999.
Mbi 1.600 njerëz vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë – ndërsa ishin dëbuar më forcë mbi 800.000 të tjerë.
Në komunikatën e saj, Ministria serbe pretendoi “vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet gjakderdhjes dhe persekutimit të vërtetë të serbëve, të cilat Institucionet e Përkohshme në Prishtinë duan qartë ta fshehin. Duke filluar me rastin e ‘Shtëpisë së Verdhë’ në Shqipëri, ku serbët dhe joshqiptarët e tjerë u rrëmbyen gjatë dhe pas konfliktit të vitit 1999, me akuza të rënda për trafik organesh”.
Shqipëria i hodhi poshtë këto pretendime duke shprehur “keqardhje që Serbia mbështetet ende mbi një raport tashmë të diskredituar të Dik Martyt, kur faktet e hetuara nga autoritetet vendase dhe ndërkombëtare kanë dëshmuar qartë se pretendimet e ngritura aty janë një fabrikim i pastër, pa asnjë provë faktike”.
Ish-senatori zviceran, Dick Marty, përmendi akuza për “trafikim të organeve” nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjatë luftës së fundit, të cilat u konkretizua në një raport të Këshillit të Evropës më 2011.
Megjithëse ky raport ishte pikënisja e thirrjeve për themelimin e Dhomave të Specializuara më 2015, aktakuza në këtë gjykatë në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk i ngarkon ata me krime të tilla.
Këto pretendime u hetuan nga prokurori amerikan, Clint Williamson, i cili në korrik të vitit 2014 bëri të ditur se gjetjet e ekipit të tij nuk përfshijnë dëshmi të bazuara për trafikim organesh, por për krime të tjera luf