Raportohet se Balluku akuzohet për 15 episode krimesh të rënda, që nisin nga shkelja në nëntë tendera e deri te korrupsioni e pastrimi i parave.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e Shqipërisë (SPAK) i ka komunikuar sot akuza të reja ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, transmeton Anadolu.
SPAK ka konfirmuar në një njoftim se i ka komunikuar akuzat përfundimtare për veprat penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”.
Balluku u paraqit gjatë ditës së sotme në prokurori, ku iu komunikuan zyrtarisht akuzat.
Gjithashtu raportohet se Balluku akuzohet për 15 episode krimesh të rënda, që nisin nga shkelja në nëntë tendera e deri te korrupsioni e pastrimi i parave.
Balluku aktualisht është deputete e partisë në pushtet, Partisë Socialiste, ndërkohë që Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi në mars të këtij viti kërkesën e prokurorisë mbi dhënin e autorizimit “për arrestimin/heqjen e lirisë”
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) vendosi më 19 nëntor 2025 të pezullojë nga detyra Ballukun, e cila në atë kohë ishte zëvendëskryeministre dhe ministre dhe gjithashtu vendosi edhe masën “ndalim të daljes jashtë shtetit”.
Çështja ndaj Ballukut ka shkaktuar edhe protesta dhe reagime në Shqipëri në muajt e fundit.