Disa shpërthime u dëgjuan të enjten në Riad, kryeqytetin e Arabisë Saudite, përfshirë një shpërthim të fuqishëm në aeroportin ndërkombëtar, raporton AP.
Shkaku i shpërthimeve nuk u bë menjëherë i ditur dhe asnjë grup nuk mori përgjegjësinë. Huthit nga Jemeni fqinj kanë deklaruar disa herë ditët e fundit se kanë kryer sulme ndaj aeroporteve, objekteve ushtarake dhe instalimeve të naftës në Arabinë Saudite.
Shpërthimet ndikuan menjëherë në tregje dhe në çmimet e naftës, duke shkaktuar rritjen e çmimit të naftës bruto. Arabia Saudite është eksportuesja më e madhe e naftës në botë, ndaj sulmet kundër mbretërisë kanë ngjallur shqetësime të tjera.
Shërbimi Flightradar24 njoftoi të enjten në X se Aeroporti Ndërkombëtar “King Khalid” në Riad është mbyllur sërish.
“Ulja e fundit u krye para më shumë se 80 minutash. Ngritja e fundit u krye para më shumë se 90 minutash”, thuhej në njoftim.
Një dëshmitar i tha AP-së se në vendngjarje ishin dërguar ekipe zjarrfikësish dhe autoambulanca dhe se ishte parë tym. Sipas tij, fluturimet në nisje u ndaluan, ndërsa udhëtarët u urdhëruan të linin të gjitha bagazhet e dorëzuara dhe të evakuoheshin nga aeroporti. Nuk ishte menjëherë e qartë se sa fluturime ishin prekur, ndërsa autoritetet saudite nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
Një ditë më parë, zyrtarët sauditë njoftuan se tre persona kishin humbur jetën në dy sulme ndaj aeroporteve, për të cilat përgjegjësinë e morën Huthit. Në sulmin ndaj aeroportit “King Khalid” u vra një shtetas sudanez dhe u plagosën tetë persona. Ndërkaq, në sulmin ndaj aeroportit të Abhas humbën jetën një shtetas maroken dhe një algjerian, ndërsa u plagosën 28 persona.
Gjatë fundjavës, Arabia Saudite dhe forcat aleate jemenase nisën një ofensivë të madhe tokësore dhe ajrore, me synimin për të rimarrë territoret që Huthit kishin pushtuar një muaj më parë përgjatë bregdetit perëndimor të Jemenit në Detin e Kuq dhe pranë ngushticës Bab el-Mandeb.
Zëdhënësi i koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite, gjeneralmajori Turki al-Malki, deklaroi të mërkurën se forcat kishin shkatërruar një platformë në Sana, kryeqytetin e Jemenit që kontrollohet nga Huthit, e cila ishte përdorur për sulme ndaj kryeqytetit saudit.
