Për mocionin e paraqitur nga ekstremi i djathtë, 378 eurodeputetë votuan kundër, 179 pro dhe 37 abstenuan ndërsa mocioni i ekstremit të djathtë regjistroi 383 vota kundër, 133 pro dhe 78 abstenime
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen i ka mbijetuar një votimi të rrallë të dyfishtë mosbesimi në Parlamentin Evropian, duke i tejkaluar sfidat nga ligjvënësit e ekstremit të djathtë dhe të ekstremit të majtë që synonin ta rrëzojnë atë nga mandati, transmeton Anadolu.
Gjatë seancës plenare në Strasburg, asnjë mocion nuk arriti shumicën prej dy të tretave që nevojitet për t’u miratuar ose minimumin prej 361 votash pro.
Për mocionin e paraqitur nga ekstremi i djathtë, 378 eurodeputetë votuan kundër, 179 pro dhe 37 abstenuan ndërsa mocioni i ekstremit të djathtë regjistroi 383 vota kundër, 133 pro dhe 78 abstenime.
Mocionet e paraqitura muajin e kaluar nga grupi i ekstremit të djathtë “Patriotët për Evropën” dhe grupi i krahut të majtë “E Majta”, shënuan herën e parë që dy mocione mos besimi u nisën njëkohësisht në Parlamentin Evropian.
Lideri i grupit “Patriotët për Evropën”, Jordan Bardella kritikoi marrëveshjet tregtare të Von der Leyen, atë me SHBA-në dhe atë “Mercosur” ndërsa bashkëkryetarja e grupit “E Majta”, Manon Aubry akuzoi komisionin për mungesë veprimi ndaj veprimeve të Izraelit në Rripin e Gazës.
Eurodeputetët e qendrës dhe ato të moderuar u mblodhën në përkrahje të Von der Leyen gjatë një debati plenar të hënën, duke paralajmëruar se rrëzimi i saj në këtë fazë mund të destabilizojë më tej BE-në.
Kjo është mbrojtja e dytë për presidenten e KE-së kundër një mocioni mosbesimi këtë vit. Në muajin korrik, një përpjekje e ekstremit të djathtë dështoi me 175 vota pro, 360 kundër dhe 18 abstenime.