Drejtori i shërbimit sekret turk MIT, Ibrahim Kalın, dërgoi mesazhe të ashpra lidhur me përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme, duke paralajmëruar për rrezikun e përhapjes së luftës dhe destabilizimit të gjithë rajonit.
Kalın theksoi se sulmet e Iranit ndaj vendeve të Gjirit janë “të papranueshme”, por nënvizoi se nuk duhet të neglizhohet çështja e përgjegjësisë për nisjen e konfliktit.
“Duhet të rrisim presionin ndaj Izraelit, duke u fokusuar te aktori që e ka nisur luftën, dhe të parandalojmë që ky konflikt të shndërrohet në një luftë rajonale dhe krizë globale”, tha Kalın.
Duke folur për përpjekjet diplomatike, ai theksoi se Izraeli po minon në mënyrë sistematike përpjekjet për negociata me Iranin.
“Shohim se Izraeli, i cili që nga fillimi i luftës ka sabotuar çdo përpjekje për negociata dhe hapje të kanaleve të dialogut, vazhdon intensivisht të pengojë këto iniciativa, veçanërisht përmes sulmeve në dy ditët e fundit”, u shpreh ai.
Kalın paralajmëroi se konflikti aktual mund të ketë pasoja afatgjata dhe të rrezikshme për marrëdhëniet ndërmjet popujve në rajon.
“Kjo luftë e madhe po ndez zjarrin e përçarjes në rajonin tonë. Një nga synimet nuk është vetëm eliminimi i kapaciteteve bërthamore të Iranit, por edhe krijimi i bazave për konflikte që mund të zgjasin për dekada mes turqve, kurdëve, arabëve dhe persëve”, theksoi ai.
Ai shtoi se një zhvillim i tillë do të hapte rrugë për një luftë të gjatë vëllavrasëse dhe hakmarrje të përgjakshme.
Kalın theksoi se Turqia do të mbetet në gjendje gatishmërie të plotë.
“Si Turqi, do të qëndrojmë vigjilentë dhe do të vazhdojmë luftën kundër këtyre kërcënimeve deri në fund. Asnjëherë nuk kemi qenë dhe nuk do të jemi palë që nxis përçarje”, tha ai.
Kalın shtoi se Turqia do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri kundër çdo përpjekjeje destabilizuese.
“Veprojmë duke e ditur mirë kush janë miqtë dhe kush janë armiqtë tanë. Nuk do të tërhiqemi nga kjo rrugë”, shtoi ai.
Në fund, ai paralajmëroi se politika e “faktit të kryer” po shtrihet edhe në pjesë të tjera të rajonit.
“E dimë shumë mirë se ata që e nisën këtë luftë nuk veprojnë vetëm ndaj Iranit, por përmes krijimit të realiteteve të reja në terren në Liban, Siri dhe në territoret palestineze po zbatojnë politika shkatërrimi, aneksimi dhe okupimi”, tha ai.
Ai u ndal veçanërisht te situata në Liban, duke paralajmëruar për përpjekje për krijimin e një skenari të ngjashëm me atë në Lartësitë e Golanit në vitin 1974.
Kalın theksoi se Turqia po rrit përpjekjet për të parandaluar një zhvillim të tillë dhe shtoi se nuk do të lejojë shkeljen e të drejtave të palestinezëve.
“Nuk do të lejojmë që palestinezëve t’u merren të drejtat themelore përmes faktit të kryer dhe nuk do të injorojmë shkeljet që po ndodhin në Gaza dhe në Bregun Perëndimor”, përfundoi Kalın.










