Hassan Rashad u takua me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për të diskutuar armëpushimin në Gaza
Shefi i inteligjencës së Egjiptit, Hassan Rashad, mbërriti në Izrael sot për bisedime mbi armëpushimin në Gaza me zyrtarë izraelitë, transmeton Anadolu.
Transmetuesi publik izraelit KAN tha se Rashed u takua me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit.
Kanali shtetëror i Egjiptit, Al-Qahera News, tha se bisedimet e Rashad në Izrael do të trajtojnë edhe hyrjen e ndihmës humanitare në Gaza.
Shefi i inteligjencës egjiptiane gjatë vizitës do të takohet gjithashtu me të dërguarin special të SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff.
Vizita është e para e një zyrtari të lartë egjiptian në Izrael që nga lufta gjenocidale e Tel Avivit në Gaza nga tetori 2023.
Marrëveshja e armëpushimit hyri në fuqi më 10 tetor në Gaza, bazuar në një plan me faza të paraqitur nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump. Faza e parë përfshinte lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë.
Plani parashikon gjithashtu rindërtimin e Gazës dhe krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës pa Hamasin.
Që nga tetori i vitit 2023, lufta gjenocidale izraelite ka vrarë mbi 68.200 njerëz dhe ka plagosur më shumë se 170.300, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.