Shefi i agjencisë për energjinë bërthamore mohon pretendimet e Netanyahut: Nuk ka dëshmi se Irani ka plan aktiv për bombë

Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike (IAEA), Rafael Grossi, deklaroi se nuk ka informacione që tregojnë se Irani ka “një plan aktiv për ndërtimin e armës bërthamore”.

Grossi tha se inspektorët bërthamorë nuk kanë të dhëna që do të tregonin se Irani po përpiqet aktualisht të ndërtojë një armë bërthamore.

“Nuk kemi gjetur në Iran elemente që do të tregonin për ekzistencën e një plani aktiv dhe sistematik për ndërtimin e një arme bërthamore. Nuk kemi parë elemente që do të na lejonin neve, si inspektorë, të pohojmë se një armë bërthamore është prodhuar apo ndërtuar diku në Iran,” tha Grossi në një intervistë ekskluzive për Al Jazeera.

Në anën tjetër, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu prej vitesh – dhe sidomos ditëve të fundit – ka bërë pretendime të kundërta. Ai ka deklaruar se Irani “po synon të zhvillojë rezerva bombash bërthamore” për të shkatërruar Izraelin, duke u mbështetur në sisteme raketore dhe interkontinentale.

Në një deklaratë nga prilli i vitit 2025, Netanyahu tha se marrëveshja e vetme e pranueshme me Iranin është ajo që “parashikon shkatërrimin fizik të objekteve bërthamore” – përndryshe, mbetet si opsion ndërhyrja ushtarake.

Pas sulmeve të fundit izraelite ndaj objektivave bërthamore dhe ushtarake në Iran, në qershor të vitit 2025, Netanyahu përsëriti se operacioni “do të zgjasë aq sa të jetë e nevojshme” për të “neutralizuar kërcënimin”.

Kategoritë
BotaLajme