SHBA i bën thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së të mbështesë përpjekjet për të lehtësuar sanksionet ndaj Sirisë

“Lehtësimi i mëtejshëm i sanksioneve është kritik për mirëqenien e popullit sirian për t’i dhënë Sirisë një mundësi”, tha i dërguari amerikan

SHBA-ja ka kërkuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së të mbështesë përpjekjet për të lehtësuar sanksionet ndaj Sirisë, duke deklaruar se ky veprim është i nevojshëm për të përmirësuar situatën humanitare dhe për të mbështetur të ardhmen e vendit pas konfliktit, transmeton Anadolu.

“Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje qeverisë siriane të shfrytëzojë këtë mundësi të bërë të mundur nga njoftimi historik i presidentit Donald Trump për lehtësimin e sanksioneve për popullin sirian”, i tha Këshillit të Sigurimit i dërguari amerikan, Mike Waltz.

“Lehtësimi i mëtejshëm i sanksioneve është kritik për mirëqenien e popullit sirian për t’i dhënë Sirisë një mundësi”, tha ai.

Waltz u kërkoi anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të mbështesin rregullimet e sanksioneve në nivelin e OKB-së.

“Ne i bëjmë thirrje këtij këshilli të mbështesë përpjekjet për të lehtësuar sanksionet e OKB-së ndaj Sirisë, duke përfshirë heqjen e sanksioneve ndaj disa anëtarëve të udhëheqjes së Sirisë që i nënshtrohen sanksioneve sipas rezolutës 1267 të OKB-së”, tha ai.

Ai theksoi se Siria përballet me “shumë sfida pas pesë dekadash shtypjeje nga regjimi i Asadit” dhe i bëri thirrje qeverisë të “forcojë unitetin kombëtar të Sirisë përmes integrimit paqësor të të gjithë përbërësve të saj”.

Waltz gjithashtu theksoi se “qeveria nuk duhet të tregojë tolerancë për abuzimet”.

I dërguari amerikan gjithashtu vlerësoi bashkëpunimin e Sirisë me Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike, duke theksuar se të dy palët po punojnë për “të përshpejtuar procesin e eliminimit të çdo mbetjeje të programit të armëve kimike të Asadit”.

“Ne mirëpresim përpjekjet e Sirisë për të forcuar lidhjet me fqinjët e saj”, tha ai, duke përshëndetur mbështetjen rajonale nga Arabia Saudite, Katari, Turqia dhe Jordania.

Më tej, Waltz tha se mbështetja e huaj është thelbësore për rimëkëmbjen e Sirisë, duke shtuar se SHBA-ja “do të vazhdojë të punojnë me Sirinë për të parandaluar ringjalljen e ISIS-it”.

Lufta civile siriane përfundoi dhjetorin e kaluar pasi Bashar al-Asadi, udhëheqësi i Sirisë për pothuajse 25 vjet, u arratis në Rusi duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, e cila ka qenë në pushtet që nga viti 1963.

Pas formimit të një qeverie të re të udhëhequr nga presidenti sirian, Ahmad al-Sharaa, Siria ka ndjekur reforma politike dhe ekonomike, duke promovuar kohezionin shoqëror dhe duke zgjeruar bashkëpunimin me partnerët rajonal dhe ndërkombëtar.

Kategoritë
BotaLajme