Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Jeff Bartos, dhe përfaqësuesja e Mbretërisë së Bashkuar, Jennifer MacNaughtan, kanë dhënë mesazhe të njëzëshme për situatën në Kosovë, duke theksuar se vendi nuk ka krizë sigurie dhe se UNMIK-u duhet të përfundojë.
Bartos deklaroi se UNMIK-u ka humbur funksionin e tij fillestar dhe tashmë është bërë “një mision paqeruajtës pa paqeruajtës”.
Ai shtoi se mbi 80 për qind e buxhetit të misionit shkon për pagat e stafit, për funksione që mund të kryhen nga organizata të tjera, dhe se takimet periodike për Kosovën në Këshillin e Sigurimit janë të panevojshme.
Përfaqësuesi amerikan bëri thirrje që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga veprimet që mund të përshkallëzojnë tensionet dhe të ndërtojnë paqen dhe stabilitetin me njohjen e ndërsjellë si qëllim përfundimtar.
Nga ana e saj, përfaqësuesja britanike Jennifer MacNaughtan theksoi se Mbretëria e Bashkuar mbetet përkrahëse e palëkundur e zhvillimit demokratik të Kosovës dhe të rrugës së saj euroatlantike.
“Si ndër vendet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, u bëjmë thirrje shteteve anëtare që ende nuk e kanë bërë këtë, t’i bashkohen shumicës. Njohja është esenciale për stabilitet afatgjatë dhe për zhbllokimin e potencialit të plotë të Kosovës,” deklaroi ajo.