Shanset e Trumpit u zvogëluan: Fituesi i Çmimit Nobel për Paqe është zgjedhur para marrëveshjes për përfundimin e luftës në Gaza

Fituesi i Çmimit Nobel për Paqe për këtë vit është zgjedhur para se Izraeli dhe grupi palestinez Hamas të arrinin marrëveshjen për përfundimin e luftës në Gaza, ka njoftuar komiteti që jep këtë çmim. Sipas njoftimit të Komitetit Norvegjez të Nobelit, mbledhja përfundimtare ku është zgjedhur fituesi u mbajt të hënën, ndërsa marrëveshja ndërmjet Izraelit dhe Hamasit u arrit të mërkurën.

Siç shkruan The Times of Israel, kjo e ka zvogëluar ndjeshëm mundësinë që presidenti amerikan Donald Trump ta fitojë çmimin, edhe pse ai ende mund të jetë ndër kandidatët.

Trump është nominuar për këtë çmim nga shumë vende në mbarë botën, ndërsa edhe në Bosnje e Hercegovinë anëtarja e Presidencës, Željka Cvijanović, ka propozuar që vendi të mbështesë këtë iniciativë.

Vetë presidenti amerikan ka deklaruar disa herë se beson se e meriton këtë çmim dhe madje pret ta marrë.

Trump shpesh krenohet se ka “ndaluar shtatë luftëra”, duke përfshirë edhe, sipas tij, “konfliktin mes Serbisë dhe Kosovës”, megjithëse nuk ka dhënë ndonjë shpjegim të detajuar për këtë pretendim.

Kujtojmë se në vitet e fundit këtë çmim e kanë fituar grupi japonez Nihon Hidankyō (2024), aktivistja iraniane Narges Mohammadi (2023) dhe Ales Bialiatski nga Bjellorusia bashkë me grupin rus Memorial (2022).

Nga presidentët amerikanë, fitues të Çmimit Nobel për Paqe kanë qenë Barack Obama (2009), Jimmy Carter (2002), Woodrow Wilson (1919) dhe Theodore Roosevelt (1906).

Kategoritë
BotaLajme