“NIS ka siguruar furnizime të mjaftueshme me naftë për përpunim në këtë kohë, ndërsa pikat e karburanteve furnizohen rregullisht me të gjitha llojet e produkteve të naftës”, tha kompania.
Kompania serbe e naftës NIS sot njoftoi se ende nuk i është dhënë licencë e posaçme nga Departamenti i Thesarit i SHBA-së, i cili lejon operacione të pandërprera, që do të thotë se sanksionet amerikane kanë hyrë në fuqi në praktikë, transmeton Anadolu.
Siç raportojnë mediat serbe, NIS thekson se prioritetet, si më parë, mbeten furnizimi i rregullt i tregut vendas me produkte nafte si dhe ruajtja e stabilitetit social të punonjësve.
NIS thotë se ka siguruar furnizime të mjaftueshme me naftë për përpunim në këtë kohë ndërsa pikat e karburanteve furnizohen rregullisht me të gjitha llojet e produkteve të naftës.
“Që nga përfshirja e kompanisë në listën SDN (Specially Designated Nationals) në janar, NIS ka qenë duke monitoruar nga afër situatën dhe duke u përpjekur të përshtasë operacionet e saj me rrethanat e reja”, njoftoi kompania NIS.
Siç tha kompania, në rast se kartat e pagesave të huaja (Master Card, Visa) pushojnë së funksionuari, pagesa në pikat e karburanteve do të jetë e mundur me kartën vendase “Dina”, me para në dorë si dhe me metodën “IPS show”.
“Lidhur me shitjet me shumicë, janë siguruar transaksione të pandërprera pagesash në dinarë dhe NIS, nga ana e saj, mbetet partner i besueshëm dhe i gatshëm të përmbushë të gjitha detyrimet kontraktuale ndaj partnerëve të biznesit, përfshirë klientët e korporatave dhe klientët e mëdhenj”, thonë nga kompania.
“Kartat e pagesave të klientëve të korporatave po funksionojnë pa probleme”, tha NIS duke shtuar se në bashkëpunim me partnerët, Qeverinë e Serbisë dhe aksionarët, NIS po punon për të kapërcyer këtë situatë.
NIS vazhdon të bashkëpunojë me Departamentin e Thesarit të SHBA-së në lidhje me kërkesën për heqje nga lista SDN, të cilën kompania e paraqiti fillimisht më 14 mars dhe e ndryshoi më 28 shtator të këtij viti.
Sipas shtyrjes së fundit, sanksionet ndaj NIS duhej të hynin në fuqi më 1 tetor, por pala amerikane vendosi ta shtynte atë afat, që ishte hera e shtatë që pala amerikane ka shtyrë zbatimin e sanksioneve ndaj NIS-it.
Departamenti i Thesarit i SHBA-së vendosi më 10 janar të vendosë sanksione ndaj sektorit rus të energjisë, duke synuar gjigantët e naftës “Gazprom Neft” dhe “Surgutneftegaz”, si dhe më shumë se 180 anije, tregtarë nafte, ofrues shërbimesh, kompani sigurimi dhe zyrtarë.
Kompania serbe NIS ishte midis atyre të sanksionuara ndërsa Washingtoni tha se donte të pengonte më tej të ardhurat ruse dhe përpjekjet e saj të luftës në Ukrainë.