Senati amerikan, pas më shumë se 20 vjetësh, tërhoqi miratimin për luftën në Irak

Senati i Kongresit të Shteteve të Bashkuara ka votuar për shfuqizimin e rezolutës që autorizonte pushtimin e Irakut në vitin 2003, pas vendimit të Dhomës së Përfaqësuesve muajin e kaluar për t’i rikthyer Kongresit kompetencat bazë për shpalljen e luftës.

Amendamenti, i propozuar nga senatori demokrat Tim Kaine dhe senatori republikan Todd Young, u miratua si pjesë e ligjit vjetor për buxhetin e mbrojtjes, të votuar vonë të enjten me përkrahje unanime për t’i dhënë fund një lufte që sot shumica e amerikanëve e konsiderojnë një gabim historik.

Vlerësohet se qindra mijëra irakianë kanë humbur jetën në këtë luftë, ndërsa gati 5.000 ushtarë amerikanë janë vrarë pas pushtimit të nisur me pretendimin e rremë të administratës së George W. Bush-it se regjimi i Saddam Husseinit posedonte armë të shkatërrimit në masë.

“Kështu mbaron një luftë – jo me një shpërthim, por me një psherëtimë,” tha Kaine pas votimit që zgjati vetëm disa sekonda, pa debat dhe pa kundërshtime. “Por, Amerika dhe Lindja e Mesme janë përgjithmonë të ndryshuara nga kjo luftë,” shtoi ai.

Mbështetësit e masës në të dyja dhomat e Kongresit theksuan se shfuqizimi i rezolutës është vendimtar për të parandaluar abuzimet e ardhshme me pushtetin ushtarak dhe për të theksuar faktin se Iraku sot është partner strategjik i SHBA-së.

Dhoma e Përfaqësuesve kishte miratuar një amendament të ngjashëm në shtator, që përfshin gjithashtu shfuqizimin e rezolutës së vitit 1991, e cila autorizonte luftën e Gjirit Persik të udhëhequr nga SHBA.

Megjithëse Kongresi pritet ta finalizojë vendimin, nuk është ende e qartë nëse presidenti Donald Trump do ta mbështesë. Gjatë mandatit të tij të parë, administrata e Trump-it u mbështet në rezolutën e vitit 2002 si bazë ligjore për sulmin me dron në vitin 2020, ku u vra gjenerali iranian Qassem Soleimani.

Pas votimit, senatori Young deklaroi:

“Kongresi sot po konfirmon qartë se është prerogativë dhe përgjegjësi e tij jo vetëm të miratojë, por edhe të përfundojë konfliktet ushtarake. Ky është një precedent i rëndësishëm.”

Votimi ndodhi si pjesë e një pakete më të gjerë të ligjit për mbrojtjen, në mes të një bllokimi të ashpër politik gjatë mbylljes shtatëditore të qeverisë.

Ky vendim pason përpjekjet e mëparshme të Senatit: dy vite më parë, në vitin 2023, një votim i ngjashëm për shfuqizimin e rezolutës së vitit 2002 kaloi me rezultatin 66–30. Këtë herë, asnjë senator nuk paraqiti kundërshtim.

Ndërkohë, autorizimi i veçantë i vitit 2001 për “luftën globale kundër terrorizmit” mbetet në fuqi. Kjo rezolutë, e miratuar pas sulmeve të 11 shtatorit, i dha presidentit Bush kompetenca të gjera ushtarake për të përdorur forcën kundër shteteve, organizatave ose individëve të përfshirë në ato sulme — dhe që atëherë është përdorur për të justifikuar operacione kundër al-Kaedës, ISIS-it dhe al-Shababit në vende të ndryshme të botës.

Kategoritë
BotaLajme