Sarkozy kërcënohet me jetë në burg, ndërhyjnë forcat speciale

Dy oficerë të policisë janë vendosur në pozicione të veçanta pranë qelisë ku po qëndron Nicolas Sarkozy, si masë sigurie pas kërcënimeve serioze për jetën e tij. Ish-presidenti francez po vuan një dënim me burg në La Santé, një institucion i sigurisë së lartë në Paris, ku ka kaluar një natë të vështirë në qeli.

Zhvillimet ndodhin në vazhdën e një vendimi gjyqësor që e shpalli 70-vjeçarin fajtor për konspiracion kriminal. Sarkozy dhe bashkëpunëtorët e tij akuzohen se kanë bashkëpunuar me regjimin e ndjerë të diktatorit libian Muammar Gaddafi, për të siguruar fonde të paligjshme për fushatën presidenciale të vitit 2007 në Francë.

Vetëm pak orë pas mbërritjes në burg, në rrjetet sociale u publikua një video kërcënuese që i drejtohej drejtpërdrejt Sarkozyt. “Ne do të hakmerremi për Gaddafin, ne dimë gjithçka, Sarko… kthej miliarda dollarët,” thuhet në mesazhin video, që përmban tone të rënda hakmarrjeje.

Për pasojë, Ministria e Brendshme e Francës ka urdhëruar që dy agjentë nga Shërbimi i Mbrojtjes VIP të vendosen pranë qelisë së tij, duke e ruajtur 24 orë në ditë për të shmangur çdo incident të mundshëm.

Sipas avokatëve të tij, Sarkozy ka biseduar me bashkëshorten Carla Bruni përmes telefonit, dhe ka përshkruar natën e parë në burg si “të frikshme”.

Videoja e postuar në internet përmend gjithashtu edhe emrin e Ziad Takieddine, një ish-tregtar armësh me origjinë libaneze, i cili vdiq në rrethana misterioze më herët gjatë vitit, teksa ishte në arrati. Ai dyshohej të kishte qenë ndërmjetësi kryesor mes Gaddafit dhe Sarkozyt në marrëveshjen e dyshuar për financim të paligjshëm.

“Ai është krejtësisht vetëm në qeli. Ka mbërritur të martën, më 20 tetor. Do ta ketë të vështirë,” thuhet në videon kërcënuese.

Kategoritë
BotaLajme