Sara Netanyahu foli për një botë ku fëmijët do të “lulëzojnë me shpresë”, ndërsa shteti i saj në Gaza ka vrarë 20.000 fëmijë

Zonja e parë amerikane, Melania Trump, në Uashington ka nisur një koalicion global “Krijimi i përbashkët i së ardhmes”, që synon “bashkëpunimin për përmirësimin e qasjes në arsim dhe teknologji për fëmijët në mbarë botën”, ku pjesëmarrëse ishte edhe Sara Netanyahu, shteti i së cilës në Gaza ka vrarë 20.000 fëmijë.

Në samitin e parë, ku morën pjesë zonjat e para nga 45 shtete të botës dhe përfaqësues të më shumë se 20 kompanive teknologjike nga SHBA-ja, përfshirë Google, Microsoft dhe OpenAI, mori pjesë edhe Sara Netanyahu, bashkëshortja e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, i akuzuar për krime lufte në Rripin e Gazës.

Gjatë luftës në Rripin e Gazës janë vrarë më shumë se 70.000 persona, prej tyre rreth 20.000 fëmijë. Gjithashtu janë plagosur dhjetëra mijëra të tjerë. Sipas të dhënave të shtatorit 2025, gjithsej 2.596 fëmijë kanë humbur të dy prindërit, ndërsa 53.724 fëmijë kanë humbur njërin prind; 47.804 babanë dhe 5.920 nënën.

Po ashtu, sipas UNICEF-it, në sulmet izraelite janë shkatërruar 97% e shkollave, ndërsa 91.8% e kapaciteteve arsimore kërkojnë rindërtim të plotë për t’u bërë funksionale. Shumica e 658.000 fëmijëve të moshës shkollore kanë pasur qasje shumë të kufizuar në mësim për më shumë se dy vite shkollore.

Izraeli gjithashtu ka ndaluar veprimtarinë e agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA), e cila që nga viti 1948 ka menaxhuar qindra institucione arsimore për palestinezët e dëbuar nga shtëpitë e tyre dhe të cilëve u është ndaluar kthimi pas krijimit të shtetit të Izraelit.

Përveç Gazës, Izraeli po ushtron dhunë sistematike edhe në Bregun Perëndimor të pushtuar, ku shpeshherë shteti inkurajon dhe nuk ndëshkon kolonët ilegalë; aty janë vrarë më shumë se 230 fëmijë.

Sara Netanyahu, bashkëshortja e Benjamin Netanyahut, në emër të shtetit të saj mbajti një fjalim në këtë aktivitet të organizuar nga Melania Trump, duke e quajtur atë një “qëndrim moral”.

“Krahas rolit tim si bashkëshorte e kryeministrit të Izraelit, për më shumë se dy dekada kam punuar si psikologe për fëmijë në qytetin e Jerusalemit. Përmes punës sime takoj fëmijë dhe adoleshentë në momentet më kritike të jetës së tyre, përballë ankthit dhe stresit të vazhdueshëm, veçanërisht tani në kohë lufte. Ditë pas dite dëgjoj frikërat e tyre, dilemat e tyre, heshtjen e tyre, por edhe ëndrrat e tyre. Shoh dhimbjen e tyre, por edhe forcën e tyre. Gjatë viteve kam mësuar diçka të thjeshtë, por thelbësore: çdo fëmijë ka nevojë për dikë që ta vërejë, ta besojë dhe t’i japë mjetet e nevojshme për të hapur dyer të reja. Sot disa nga këto dyer janë digjitale”, tha Sara Netanyahu.

Ajo theksoi se fëmijët në botën digjitale kanë nevojë për mbrojtje, udhëzim dhe për të rritur të përgjegjshëm që do të sigurojnë që hapësira online të jetë pozitive, etike dhe edukative.

“Si nënë, këtë e ndiej në nivel personal. Kur rrisja djemtë e mi, Yair dhe Avner, kuptova se çdo brez ka sfida të reja. Nga përvoja ime, fëmijët e mi kanë përjetuar turpërim dhe dhunë vetëm sepse janë fëmijët e kryeministrit. Ne duhet të dënojmë sulmet personale ndaj fëmijëve në çdo ambient, qoftë fizik apo online. Këtë takim e shoh si një aleancë përgjegjësie – mes kombeve, mes grave lidere dhe mes nënave – që e kuptojnë se mënyra më e mirë për të ndërtuar një të ardhme më të fortë është investimi tek fëmijët sot”, tha ajo.

Në fund, ajo përfundoi: “Le të ndihmojë përpjekja jonë e përbashkët që fëmijët në mbarë botën të mësojnë më mirë, të rriten më të sigurt dhe të lulëzojnë me shpresë.”

Në një botë ku realiteti shpesh tejkalon edhe përshkrimet e romaneve distopike, ku lajme për torturimin e foshnjave kalojnë pa vëmendje, nuk është çudi që bashkëshortja e një të dyshuari për krime lufte flet për përpjekje të përbashkëta që fëmijët të “lulëzojnë me shpresë”.

Duket se “lulëzimi me shpresë” në botën moderne nuk është parashikuar për fëmijët palestinezë.

Kategoritë
BotaLajme