Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez ka bërë thirrje që Evropa të ëndërrojë më shumë dhe jo vetëm të mbrojë interesat e saj, por të bëhet një lider moral në një botë gjithnjë e më të trazuar.
“Sfida e Evropës nuk është vetëm të armatoset për t’iu përgjigjur problemeve të sigurisë dhe mbrojtjes, por edhe të armatoset moralisht, në mënyrë që të kontribuojë në zhvillim të qëndrueshëm dhe paqësor në mbarë botën”, tha Sanchez në forumin POLITICO’s European Pulse në Barcelonë.
Ai theksoi se në një moment kur Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga bashkëpunimi ndërkombëtar, Evropa ka detyrimin të ndërhyjë dhe të mbushë këtë boshllëk. Në këtë kontekst, Spanja paraqitet si një model që pjesa tjetër e BE-së mund ta ndjekë.
“Ka elemente të modelit spanjoll që funksionojnë: është e mundur të rritet ekonomia dhe të krijohen vende pune të qëndrueshme, të shpërndahet pasuria dhe në të njëjtën kohë të mbrohet mjedisi, pa sakrifikuar njërën për tjetrën”, u shpreh ai.
Sanchez tha gjithashtu se është e nevojshme që Brukseli të pezullojë marrëveshjen e bashkëpunimit me Izraelin, si protestë ndaj mosrespektimit të qartë të së drejtës ndërkombëtare.
Ai është një nga kritikët më të zëshëm evropianë ndaj operacioneve ushtarake të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Gaza dhe Liban. Po ashtu, ai është përplasur edhe me presidentin amerikan Donald Trump dhe ka kundërshtuar fuqishëm luftën e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit.
“Qytetarët e Evropës nuk duan që liderët e tyre të mbyllin sytë apo të merren vetëm me veten. Ata duan të angazhohen në gjetjen e zgjidhjeve për sfidat globale me të cilat përballet njerëzimi”, tha ai.
Sanchez shtoi se BE-ja duhet të vlerësojë më shumë arritjet e saj dhe hodhi poshtë pretendimet e partive të ekstremit të djathtë dhe euroskeptike që thonë se blloku ka humbur drejtimin apo ka mbetur pas.
“Është mirë të jesh evropian”, tha ai.
Në fund, Sanchez i bëri thirrje BE-së të veprojë me guxim:
“Kemi burime, institucione, talent, parime dhe vlera. Ajo që na mungon është guximi për të imagjinuar se sa larg mund të shkojmë, apo sa larg mund të shkojmë së bashku.”









