Rusia po përdor raketën 9M729 në Ukrainë – për të njëjtën raketë SHBA u tërhoq nga marrëveshja bërthamore

Rusia ka përdorur në muajt e fundit raketën lundruese 9M729, zhvillimi sekret i së cilës dikur e shtyu ish-presidentin amerikan Donald Trump që të tërhiqej nga marrëveshja bërthamore e kontrollit të armatimeve me Moskën.

Këtë e konfirmoi ministri i jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, duke dhënë dëshminë e parë zyrtare se raketa 9M729, e lëshuar nga toka, është përdorur në luftë.

Raketë me rreze të ndaluar sipas marrëveshjes INF

Raketa 9M729 ishte arsyeja për të cilën Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga Marrëveshja për Raketat me Rreze të Mesme (INF) në vitin 2019. Uashingtoni pretendonte se ajo shkelte marrëveshjen pasi mund të fluturonte shumë më larg se kufiri i lejuar prej 500 kilometrash – diçka që Moska e mohonte.

Sipas të dhënave të CSIS Missile Threat, raketa mund të mbajë kokë bërthamore ose konvencionale dhe ka një rreze veprimi deri në 2.500 kilometra. Një burim ushtarak raportoi se raketa e lëshuar më 5 tetor përshkoi mbi 1.200 km përpara se të godiste objektivin në Ukrainë.

“Shenjë e mosrespektimit të Putinit ndaj SHBA-së”

“Përdorimi nga Rusia i raketës 9M729, e ndaluar nga marrëveshja INF, tregon mungesën e respektit të presidentit (Vladimir) Putin ndaj Shteteve të Bashkuara dhe përpjekjeve diplomatike të presidentit Trump për t’i dhënë fund luftës kundër Ukrainës”, thuhet në deklaratën me shkrim të Sybiha-s.

Ai i tha agjencisë Reuters se Kievi mbështet propozimet paqësore të Trumpit dhe se Rusia duhet t’i nënshtrohet presionit maksimal për t’u detyruar drejt paqes. Sybiha shtoi se forcimi i kapaciteteve të Ukrainës për sulme me rreze të gjatë do ta bindte Moskën të ndalojë luftën.

Analistët: sinjal kërcënues për Evropën

Sipas analistëve perëndimorë, përdorimi i raketës 9M729 zgjeron arsenalin rus të armëve me rreze të gjatë kundër Ukrainës dhe përkon me një model të sjelljes ku Moska dërgon mesazhe kërcënuese ndaj Evropës, ndërkohë që Trump përpiqet të ndërmjetësojë një marrëveshje paqeje.

Kategoritë
BotaLajme