Rusia: Britania me inteligjencën ukrainase përgatitet të kryejë sabotim ndaj tubacionit “Rrjedha Turke”

Drejtori i Shërbimit Federal të Sigurisë Ruse, Bortnikov pretendon se Britania në bashkëpunim me inteligjencën ukrainase, ka bërë përgatitje për të kryer sabotim nda tubacionit të gazit natyror “Rrjedha Turke”

Drejtori i Shërbimit Federal të Sigurisë Ruse (FSB), Alexander Bortnikov pretendon se Britania e Madhe në bashkëpunim me inteligjencën ukrainase, ka bërë përgatitje për të kryer sabotim nda tubacionit të gazit natyror “Rrjedha Turke” (TurkStream), transmeton Anadolu.

Bortnikov mori pjesë në një takim të Këshillit të Krerëve të Sigurisë dhe Shërbimeve Speciale të vendeve të Komonuelthit të Shteteve të Pavarura (CIS) të mbajtur në Samarkand, Uzbekistan.

Në fjalimin e tij, Bortnikov deklaroi se Perëndimi po përpiqet të pengojë zhvillimin e një sistemi të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare, duke thënë se “Shërbimet e inteligjencës së vendeve të NATO-s janë të përfshira në shfaqjen e rajoneve të paqëndrueshme në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Evropë”.

Duke mbrojtur idenë se administrata e Kievit është nën kontrollin britanik, Bortnikov tha:

“Sipas informacionit që kemi marrë, akte terroriste dhe sabotim po kryhen në territorin rus nën kujdesin e shërbimeve të inteligjencës britanike. MI6 po planifikon sulme nga grupet e sabotimit ukrainas duke përdorur mjete ajrore pa pilot (dronë) dhe mjete detare pa pilot kundër territoreve dhe infrastrukturës kritike ruse. Ka informacione se britanikët, në bashkëpunim me inteligjencën ukrainase, po përgatiten të kryejnë sabotim kundër tubacionit të gazit natyror ‘Rrjedha Turke'”.

Bortnikov vuri në dukje se sulmet në territorin rus u kryen gjatë negociatave midis Rusisë dhe Ukrainës dhe pretendoi se Britania po përpiqej të pengonte negociatat.

– “Britania ka për qëllim ta shtyjë Evropën në luftë me Rusinë”

Bortnikov mbrojti idenë se Britania ka për qëllim ta shtyjë Evropën në luftë me Rusinë dhe tha se “Pasojat e një konflikti të mundshëm midis Evropës dhe Rusisë mund të jenë shumë katastrofike”.

Pasi deklaroi se NATO po ndjek një politikë të forcimit të infrastrukturës së saj në drejtim të lindjes, Bortnikov tha se kjo po vazhdon nën maskën e projekteve të ndryshme në vendet e CIS. Ai pretendon se NATO qëndron pas incidentit që përfshin dronët rusë që shkelën hapësirën ajrore të vendeve të Bashkimit Evropian.

“Shumë kompani të huaja private ushtarake po ofrojnë mbështetje për strukturën e organizatës terroriste DEASH në provincën Khorasan të Afganistanit”, tha Bortnikov duke mbrojtur idenë se kjo u bë për të dobësuar kufijtë e CIS.

Kategoritë
BotaLajme