Rrahmani për sulmin ndaj Danush Ademit: Na ka sha me gra e familje, kamerat janë të kafes së tij edhe lokalit të familjes së tij

Një incident fizik ka ndodhur në ditën e zgjedhjeve lokale në fshatin Dubravë të Ferizajt, ku ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Danush Ademi, është sulmuar fizikisht nga persona të lidhur kryetarin e PDAK-së, Qazim Rrahmani.

Policia e Kosovës e ka konfirmuar rastin për Lajmi.net, duke e cilësuar si “sulm”, ndërsa personi i dyshuar është shoqëruar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt, me urdhër të prokurorit të rastit, raporton lajmi.net

Ademi ka deklaruar për Lajmi.net se sulmi ndaj tij ishte i planifikuar politikisht, me qëllim që t’i pamundësohet komunitetit që përfaqëson, pjesëmarrja në zgjedhje – ai gjithashtu shtoi se u sulmua nga 50 veta përkrahës të Rrahmanit.

Mirëpo, ndryshe nga kjo qasje, për Lajmi.net ka folur kryetari i Partisë Demokratike të Ashkalinjve të Kosovës (PDAK), Qazim Rrahmani, i cili tha se Ademi ka provokuar situatën me fyerje të rënda ndaj familjarëve të tij, çka sipas tij ka nxitur reagimin e tyre.

“Ato janë kamerat e kafes së tij edhe lokalit të familjes së tij, ai me kanë që i kishi qit pak ma herët se çka ka ndodh. Ka ardh ka shajtë në grue, fëmijë, jam familje e dëshmorit, ai videon e ka pre qaty ku i ka hëngër do boksa prej familjarëve të mi. I ka shajtë familjarët e mi, mu – njerëzit nuk mujnë me duru me ta sha vorrin e nanës dhe të babës edhe janë përlesh pak,” ka deklaruar Rrahmani.

Ai më tej shton se rasti është trajtuar nga Policia si “prishje e rendit publik” dhe nuk ka të bëjë me politikën apo me procesin zgjedhor.

“Kena shku në polici, rasti u merr individual si qytetarë, prishja e rendit publik, kurgjo ma tepër, se nuk ka të bëjë me politikën. Ky i ka humbë zgjedhjet që 20 herë prej meje dhe tash po e lun at rolin e viktimës. Ai edhe 50 herë me mbajt votimin, qita që janë kane me dal,” u shpreh ai.

Tutje, Rrahmani tha se ka qëndruar për 7 orë në stacion policor dhe krejt kjo sipas tij është bërë që Rrahmani të mos jetë prezent në ditën e votimit.

“7 orë unë jam kanë në polici tu u marrë me qit rast, me arsye mem blloku mue që mos me kanë unë në terren. Kështu që ta argumenton se kë e kam ndalu mos me votu. Unë e kam bërë deputet, unë nënkryetar, ka qenë zëvendëskryetar i jemi,” përfundoi Rrahmani./Lajmi.net/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi