Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se sulmi ajror ukrainas me dronë gjatë fundjavës ka goditur 20 avionë luftarakë rusë dhe shkatërruar rreth 10 prej tyre, deklaruan për Reuters dy zyrtarë amerikanë, çka përbën rreth gjysmën e shifrës që kishte përmendur më herët presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Sulmi mbetet i rëndësishëm strategjikisht
Megjithëse vlerësimi amerikan është më i ulët se ai ukrainas, zyrtarët në Washington e cilësuan sulmin si shumë të rëndësishëm, ndërsa një prej tyre paralajmëroi se ky zhvillim mund ta shtyjë Moskën të adoptojë një pozicion më të ashpër negociues në bisedimet që ndërmjetësohen nga SHBA për t’i dhënë fund luftës që ka hyrë në vitin e katërt.
Ukraina: Sulmi koduar “Rrjeta e Merimangës”
Ukraina deklaroi se kishte shënjestruar katër baza ajrore ushtarake në Rusi me 117 dronë, të cilët u lëshuan nga kontejnerë të vendosur afër objektivave. Në pamjet e publikuara të mërkurën, shihet se dronët qëllojnë bombardues strategjikë rusë dhe godasin antenat e dy avionëve të vëzhgimit të tipit A-50, të cilët janë shumë të rrallë në flotën ruse.
Mospërputhje në shifra
Ndërsa dy zyrtarët amerikanë vlerësuan se janë shkatërruar rreth 10 avionë dhe dëmtuar deri në 20 në total, Zelensky deklaroi të mërkurën në Kiev se nga 41 avionë të goditur, gjysma ishin dëmtuar aq rëndë sa nuk mund të riparohen më.
Agjencia e sigurisë ukrainase SBU vlerësoi dëmet në 7 miliardë dollarë, duke deklaruar se 34% e bombarduesve strategjikë të raketave lundruese në bazat ajrore kryesore ruse janë prekur.
Dëshmi nga imazhet satelitore
Pamje të marra nga satelitët tregojnë bombardues rusë të dëmtuar të tipit Tu-95 dhe Tu-22 “Backfire”, avionë supersonikë me rreze të gjatë veprimi që Rusia i ka përdorur për sulme raketore mbi Ukrainën.
Reagimi rus dhe kritika të brendshme
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë pranoi se Ukraina kishte shënjestruar bazat ajrore në Murmansk, Irkutsk, Ivanovo, Rjazan dhe Amur. Sipas deklaratës ruse, sulmet në tri prej këtyre rajoneve u zmbrapsën, ndërsa në Murmansk dhe Irkutsk disa avionë u përfshinë nga flakët.
Blogerë të njohur ushtarakë rusë akuzuan komandën e Forcave Ajrore ruse për neglizhencë dhe vetëkënaqësi, që lejoi që bombardues të aftë për të mbajtur armë bërthamore të goditeshin nga Ukraina.