Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ashpër nga Londra ndaj deklaratave të disa politikanëve britanikë që, sipas tij, kanë stigmatizuar shqiptarët që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar.
Gjatë fjalës së tij në tryezën me temën “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian”, Rama theksoi se shqiptarët në Britani janë shembull integrimi dhe kontributi pozitiv në shoqëri, duke kërkuar që emri i tyre të mos përdoret më në kontekste negative.
Dua të them dhe një gjë tjetër, ai nuk ka ardhur me skaf, por ambasadori ynë ka ardhur me skaf dhe është ambasador, ju keni ardhur me viza dhe jeni askush. Pra varkat e vogla kanë sjellë shumë njerëz me ëndrra dhe ambicie, dhe që i bëjnë nder shoqërisë britanike, tha Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare shtoi se komuniteti shqiptar në Britani po jep kontribut të rëndësishëm në të gjitha fushat, prandaj është e papranueshme që të përdoret si objekt stigmatizimi politik.
Të paktën komuniteti ynë i shqiptarëve këtu po i jep mjaftueshëm Britanisë, që politikanët britanikë etiketojnë shqiptarët ta mbyllin gojën, ta mbyllin atë dreq goje dhe mos i përmendin për asgjë veçse pozitive. Kushdo që i prek, duhet ta mbyllë atë dreq goje — përveç meje që duhet të them diçka, por s’po i prek, shtoi Rama.
Deklaratat e Ramës vijnë në një kohë kur në Britaninë e Madhe ka pasur debat të vazhdueshëm mbi emigracionin, përfshirë edhe shqiptarët që kanë mbërritur në vend me mjete të paligjshme.