Ministri i Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Itamar Ben Gvir, ka bërë sërish deklarata tepër kontroverse, duke folur me krenari për ligjin që parashikon dënimin me vdekje për të burgosurit palestinezë.
Ben Gvir kishte festuar më herët me shampanjë miratimin e këtij ligji, duke u mburrur me rolin e tij, ndërsa tani ka shkuar edhe më tej.
Gjatë një deklarimi për media, ministri radikal izraelit foli hapur për vendimet e tij për t’u hequr të burgosurve palestinezë kushtet bazë të qëndrimit në burgjet izraelite.
“Ua kam hequr privilegjet: kantinat, ushqimin, daljet, shëtitjet në oborr, studimet akademike. Ua kam marrë gjithçka. Dua gjithashtu t’u marr jetën terroristëve,” tha Ben Gvir.
Ai gjithashtu paralajmëroi se do të injorojë çdo vendim të mundshëm të gjykatave në Izrael që mund të kërkojnë shfuqizimin e këtij ligji.
“Kam parë që për burgjet thoshin se gjykata do ta ndalojë dhe arrita të bëj ndryshime. Kam parë që për reformën e armëve thoshin se gjykata do ta ndalojë dhe arrita të bëj ndryshime. Dua t’ju them edhe një gjë: nëse gjykata e ndalon, duhet rregulluar gjykata, jo ky ligj,” deklaroi ai.
Vlen të theksohet se shumë të burgosur palestinezë mbahen në burgjet izraelite pa u bërë e ditur arsyeja e ndalimit të tyre, pa të drejtë ankese apo mundësi për të paraqitur argumente për lirimin e tyre.
Përveç kushteve të vendosura nga Ben Gvir, të burgosurit palestinezë ankohen edhe për keqtrajtime të shpeshta, përfshirë edhe abuzime seksuale.









