Ushtria izraelite ka ndërmarrë, sipas pretendimeve të saj, 100 sulme ajrore në disa lokacione në të gjithë Libanin brenda një periudhe prej 10 minutash.
Al Jazeera shkruan se shkatërrimi në Bejrut është i frikshëm, sidomos pasi sulmet u kryen pa paralajmërim. Ato ndodhën në një moment konfuzioni në mbarë Libanin lidhur me faktin nëse armëpushimi rajonal vlente edhe për këtë vend.
Fillimisht mendohej se armëpushimi përfshinte edhe Libanin, por më vonë erdhi një informacion nga Izraeli që kjo nuk është e vërtetë, gjë që ushtria izraelite e dëshmoi me sulmet. Në disa spitale është shpallur gjendje me viktima masive, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje të gjithë mjekëve, infermierëve dhe personave me përvojë mjekësore të paraqiten në këto lokacione. Ministri i Shëndetësisë i Libanit, Rakan Nassereddine, deklaroi se qindra persona janë vrarë dhe plagosur.
Sulmet përfshinin disa nga goditjet më të gjera izraelite në zemër të Bejrutit në dekadat e fundit. Sulmet ajrore goditën të paktën tre zona në pjesën administrative të Bejrutit, përfshirë një goditje pranë shëtitores qendrore bregdetare, sipas analizës së pamjeve të realizuar nga CNN.









