Qeveria në Gaza njoftoi se janë varrosur trupat e 54 robërve palestinezë të dorëzuar nga Izraeli, identiteti i të cilëve nuk është përcaktuar ende. Sipas autoriteteve lokale, Izraeli as nuk është përpjekur të fshehë gjurmët e torturës në trupat e dorëzuar.
Drejtori i Zyrës së Medias së qeverisë në Gaza, Ismail es-Sevabite, deklaroi se periudha pesëditore e pritjes pas dorëzimit të trupave ka përfunduar dhe se është filluar procesi i varrimit të trupave të paidentifikuar.
Gjurmë ekzekutimesh dhe torturash
Sevabite tha se trupat janë fotografuar dhe të dhënat janë arkivuar, duke theksuar se rezultatet e autopsisë tregojnë se disa nga robërit janë vrarë me varje, ndërsa disa të tjerë janë ekzekutuar nga afër me armë zjarri.
“Këto të dhëna konfirmojnë se Izraeli ka kryer ekzekutime në terren ndaj robërve palestinezë,” tha ai.
Trupa të shtypur nga automjetet ushtarake
Ai shtoi se në disa trupa janë gjetur gjurmë të lidhjes me pranga plastike në duar dhe këmbë, ndërsa disa kanë pasur sytë e mbuluar për periudha të gjata kohe.
“Ka trupa që janë shtypur nga automjete me zinxhirë, si dhe trupa me kocka të thyera ose të djegura si pasojë e torturave barbare,” theksoi Sevabite.
Trupat janë në gjendje të shpërfytyruar
Sipas tij, këto prova tregojnë se Izraeli po zbaton ekzekutime jashtëgjyqësore, duke bërë thirrje që bashkësia ndërkombëtare dhe Gjykata Ndërkombëtare Penale të nisin hetime për krimet e kryera ndaj këtyre trupave.
Huveyde Hamad, e cila po kërkon trupin e një të afërmi, tha:
“Vijmë çdo ditë me shpresën për të gjetur trupin e nipit tim, por për shkak të shpërfytyrimit të trupave, nuk kemi mundur ende t’i identifikojmë.”
Trupa me gjymtyrë të prera
Ajo shtoi se nevojiten testet e ADN-së për identifikim, duke treguar se disa trupa kishin gjymtyrë të prera, ndërsa të tjerë ishin plotësisht të copëtuar.
“Madje, njëri prej trupave kishte një krah të prerë që ishte sjellë pranë tij,” tha Hamad.
195 trupa robërish palestinezë janë dorëzuar nga Izraeli
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, përmes Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC) janë dorëzuar 30 trupa të tjerë palestinezësh, duke e çuar në 195 numrin e përgjithshëm të trupave të robërve të dorëzuar nga Izraeli në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të robërve.
Trupat mbartnin gjurmë dhune, torturash dhe lidhjes me pranga e maska për periudha të gjata.
Identifikohen 57 trupa
Deri më tani, vetëm 57 trupa janë identifikuar nga familjarët e tyre.
Sipas të dhënave të Lëvizjes Kombëtare për Kthimin e Trupave të Dëshmorëve dhe Kërkimin e Personave të Zhdukur, Izraeli ka mbajtur 735 trupa palestinezësh, përfshirë 67 fëmijë, përpara arritjes së marrëveshjes së armëpushimit në Gaza.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë në Gaza bëri të ditur se më 10 tetor, në kuadër të marrëveshjes për armëpushim dhe shkëmbim robërish, ka marrë nga Izraeli 165 trupa të robërve palestinezë.