Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar për ndarjen e nga 100 eurove për studentët.
Ai gjithashtu në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka thënë se sot do ta miratojnë edhe bursën e mobilitetit për studentet në nivelin bachelor, për t’i mbështetur studentët që studiojnë larg qytetit ku jetojnë.
Kurti ka deklaruar se përderisa formimi i institucioneve të reja po mbahet pezull, sipas tij, ekonomia po rritet.
Ekonomia ka shënuar rritje prej 4.58 për qind të brutoproduktit vendor në tremujorin e dytë, sipas Kurtit.
Ka shtuar se edhe të hyrat buxhetore kanë shënuar rritje prej 10 për qind krahasuar me vitin paraprak.
“Tashmë e kemi dëshmuar se rritjen ekonomike e ndajmë me qytetarët. Sepse kur rritja ndahet ajo shumohet. Kur zvogëlohet pabarazia në shoqëri, rritet kërkesa agregate në ekonomi. Në kuadër të kësaj ndarje të rritjes ekonomike sot e miratojmë vendimin për ndarjen nga 100 euro për të gjithë studentet që i plotësojnë kriteret. Mbështetja për studentë nuk mbaron me kaq. Sot do të miratojmë edhe bursën e mobilitetit për studentet bachelor. Shuma e mbështetjes do të varet nga distanca nëpërmjet vendbanimit dhe vendit ku studioni”, ka thënë ai./KOHA