Qendra ligjore izraelite kërkon qasje të menjëhershme te aktivistët e ndaluar nga flota e ndihmës për Gazën

Qendra Adalah tha se informoi autoritetet izraelite se do të përfaqësojë të gjithë aktivistët e Koalicionit të Flotiljes së Lirisë (FFC) dhe “kërkoi akses të menjëhershëm tek ata pas mbërritjes së tyre në Izrael”

Një qendër ligjore izraelite dënoi sulmin ndaj flotiljes së ndihmës për Gazën të mërkurën dhe kërkoi akses tek aktivistët e ndaluar në bord, transmeton Anadolu.

“Sulmi i Izraelit ndaj civilëve të paarmatosur në det dhe konfiskimi i anijeve humanitare përbëjnë një shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare dhe nxjerrin në pah pandëshkueshmërinë me të cilën Izraeli vazhdon të veprojë”, tha Qendra Ligjore Adalah në një deklaratë.

Adalah tha se informoi autoritetet izraelite se do të përfaqësojë të gjithë aktivistët e Koalicionit të Flotiljes së Lirisë (FFC) dhe “kërkoi akses të menjëhershëm tek ata pas mbërritjes së tyre në Izrael”.

Qendra ligjore theksoi se do të kundërshtojë ndalimin e paligjshëm dhe konfiskimin e anijeve të flotiljes dhe ndihmës.

Forcat detare izraelite sulmuan dhe ndaluan të gjithë aktivistët në bordin e një konvoji me 9 anije, përfshirë anijen kryesore të FFC-së, Conscience, ndërsa lundronte drejt Gazës për të kundërshtuar bllokadën e paligjshme të Izraelit në enklavë.

“Para se të humbnin të gjithë komunikimin herët këtë mëngjes, pjesëmarrësit në bordin e Conscience – kryesisht mjekë, infermierë dhe gazetarë – raportuan se u sulmuan nga një helikopter ushtarak izraelit, ndërsa forcat detare izraelite njëkohësisht kapën dhe hipën në anijet me vela Thousands Madleens. Anijet ndodheshin afërsisht 120 milje detare nga Gaza, thellë në ujërat ndërkombëtare, kur ndodhi sulmi”, tha Adalah.

Ministria e Jashtme e Izraelit konfirmoi se të gjithë aktivistët e ndaluar po transportoheshin në Portin Ashdod në Izraelin jugor.

FFC, e themeluar në vitin 2010, ka nisur dhjetëra misione që synojnë shpërndarjen e ndihmës dhe tërheqjen e vëmendjes globale ndaj krizës humanitare në Rripin e Gazës të rrethuar nga Izraeli.

Konvoji i fundit u nis pasi forcat detare izraelite sulmuan dhe sekuestruan më shumë se 40 anije javën e kaluar, pjesë e Flotiljes Globale “Sumud” me destinacion Gazën, dhe arrestuan më shumë se 450 aktivistë në bord. Shumica e tyre janë deportuar.

Izraeli si fuqi pushtuese, edhe më parë ka sulmuar anijet që shkonin në Gaza, duke sekuestruar ngarkesën e tyre dhe ka deportuar aktivistët në bord. Izraeli ka mbajtur në bllokadë Gazën, shtëpinë e gati 2.4 milion njerëzve, për gati 18 vjet dhe e ashpërsoi më tej rrethimin në mars kur mbylli kalimet kufitare dhe bllokoi shpërndarjen e ushqimit dhe ilaçeve, duke e shtyrë enklavën në uri.

Që nga tetori i vitit 2023, bombardimet izraelite kanë vrarë më shumë se 67 mijë palestinezë në enklavë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe e kanë bërë atë të pabanueshme.

Negociatat për t’i dhënë fund luftës sipas një plani 20-pikësh të shpalosur nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, janë duke u zhvilluar në Egjipt.

Kategoritë
BotaLajme