Putini: Zgjedhjet e fundit parlamentare në Siri do të forcojnë lidhjet midis forcave politike

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin tha se zgjedhjet e fundit parlamentare në Siri do të forcojnë lidhjet dhe dialogun midis “të gjitha forcave politike” në vend

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin tha se zgjedhjet e fundit parlamentare në Siri do të forcojnë lidhjet dhe dialogun midis “të gjitha forcave politike” në vend, transmeton Anadolu.

“Pavarësisht faktit se Siria aktualisht po kalon kohë të vështira, kjo megjithatë do të forcojë lidhjet dhe bashkëveprimin midis të gjitha forcave politike në Siri”, tha Putini në fjalën hapëse gjatë takimit me presidentin sirian, Ahmad al-Sharaa në kryeqytetin rus.

Al-Sharaa mbërriti sot në Moskë, sipas mediave lokale siriane, në atë që është vizita e tij e parë zyrtare në Rusi, që nga marrja e detyrës në dhjetor 2024, pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assadit.

Një ditë pas rrëzimit të tij, Kremlini deklaroi se Assadit dhe familjes së tij iu dha azil në Rusi.

Putini tha se Rusia është udhëhequr gjithmonë nga interesat e popullit sirian në marrëdhëniet e saj me vendin dhe se lidhjet midis Moskës dhe Damaskut kanë qenë gjithmonë “ekskluzivisht miqësore”.

Ai i cilësoi zgjedhjet parlamentare në Siri muajin e kaluar si një “sukses të madh”, duke argumentuar se kjo do të çojë në “konsolidimin e shoqërisë”. Presidenti rus theksoi se të dy vendet kanë patur një komision ndërqeveritar që funksionon që nga viti 1993, i cili, sipas tij, tani po rifillon punën.

Putin shprehu mirënjohjen e tij për pritjen e delegacionit rus gjatë vizitës së zëvendëskryeministrit Alexander Novak në kryeqytetin sirian në fillim të këtij muaji. “Shumë iniciativa interesante dhe të dobishme u përshkruan gjatë vizitës”, tha ai.

“Ne, nga ana jonë, jemi të përgatitur të bëjmë gjithçka që është e mundur për t’i zbatuar ato, si dhe për të mbajtur kontakte dhe konsultime të rregullta përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme”, shtoi Putini.

Kategoritë
BotaLajme