Putin zbuloi të dhëna të pabesueshme, Rusia fiton miliona nga shitja e uraniumit SHBA-së: “Presim edhe një miliard”

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të blejnë uranium nga Rusia, e cila është furnizuesi i dytë më i madh dhe që për gjashtë muaj fitoi rreth 800 milionë dollarë, deklaroi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në seancën plenare të klubit ndërkombëtar të diskutimit Valdaj. Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara janë fuqia më e madhe në prodhimin e energjisë në centralet bërthamore, ndërsa kapacitetet ruse janë më të vogla.

Rusia nuk është furnizuesi më i madh i karburantit bërthamor për SHBA – vendin e parë, sipas Putinit, e zë “një kompani amerikano-evropiane” që mbulon rreth 60 për qind të nevojave amerikane për uranium.

“Rusia është furnizuesi i dytë më i madh i uraniumit në tregun amerikan, furnizojmë afërsisht 25 për qind. Vitin e kaluar fituam rreth 800 milionë dollarë, diku 750, 760 milionë. Në gjashtë muajt e parë të këtij viti shitëm uranium në SHBA për më shumë se 800 milionë dollarë, dhe mendoj se deri në fund të vitit 2025 kjo shifër do të kalojë një miliard – diku rreth 1,2 miliardë dollarë,” tha Putin.

Në SHBA janë bërë disa herë thirrje që të ndërpritet blerja e uraniumit nga Rusia. Vitin e kaluar, atëherë presidenti i SHBA-së Joe Biden vendosi ndalimin e blerjes nga Moska të uraniumit “të papërpunuar, pak të pasuruar”, por furnizimet me karburant të pasuruar vazhdojnë ende.

Siç theksoi ministri amerikan i energjisë Chris Wright, nga ky nuk mund të hiqet dorë. SHBA nuk ka kapacitete të mjaftueshme për prodhimin e karburantit bërthamor, as nuk mund t’i zhvillojë ato shpejt, edhe pse vendi po bën përpjekje për të rritur prodhimin e vet të uraniumit.

Kategoritë
BotaLajme