Putin pritet të vendosë për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës

“Të nderuar kolegë, e kam dëgjuar mendimin tuaj, vendimi do të merret sot. Dua t’ju falënderoj për këtë takim, për këtë konsultim”, tha Putin

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë të ditur se do të marrë një vendim përfundimtar për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës si shtete të pavarura, pasi anëtarët e Këshillit të Sigurimit të Rusisë i mbështetën unanimisht këtë ide, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një takim në Moskë, presidenti Putin tha se kriza ukrainase filloi me përmbysjen e vitit 2014 të presidentit të atëhershëm, Viktor Yanukovych, gjë që çoi në konfrontimin midis njerëzve të rajoneve Donetsk dhe Luhansk dhe autoriteteve që erdhën në pushtet.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), që nga viti 2014 në Donbas të Ukrainës lindore mbi 13 mijë njerëz janë vrarë në përleshjet midis separatistëve pro-rusë dhe qeverisë së Kievit.

Për të zgjidhur krizën, Gjermania, Franca, Rusia dhe Ukraina hartuan Protokollin e Minskut, por sipas presidentit Putin, për vite me radhë zyrtarët ukrainas kanë ngecur në zbatimin e kësaj e tij.

Putin theksoi se Ukraina është përdorur si një “mjet kundër Rusisë, që përfaqëson rrezik” për sigurinë e vendit.

Një sfidë tjetër, tha Putin, është mundësia e pranimit të Ukrainës në NATO. Ai argumentoi se deklarata e Bukureshtit e vitit 2008 dëshmon se dyert e NATO-s janë të hapura për Ukrainën dhe Gjeorgjinë.

Duke theksuar se deklarata u bë nën presionin e SHBA-së, Putin tha se, “Ku janë garancitë tona se ata nuk do të ndërmarrin një hap të dytë nën presion… Garanci të tilla nuk ka. Nuk ka fare garanci, sepse SHBA heq dorë lehtësisht nga çdo marrëveshje, nga çdo dokument që ata nënshkruajnë”.

Më pas, Putin pyeti mendimin e secilit anëtar të takimit dhe të gjithë folën në favor të njohjes së pavarësisë së rajoneve Donetsk dhe Luhansk, megjithatë sugjeroi disa përpjekje përfundimtare, të tilla si mbajtja e bisedimeve me palët që kanë ndikim në Ukrainë, përfshirë SHBA-në, përpara marrjes së një vendimi përfundimtar.

“Të nderuar kolegë, e kam dëgjuar mendimin tuaj, vendimi do të merret sot. Dua t’ju falënderoj për këtë takim, për këtë konsultim”, tha Putin.

Tensionet janë rritur në mënyrë dramatike në Ukrainën lindore javën e kaluar, me raportime për një numër në rritje të shkeljeve të armëpushimit, incidente të shumta të bombardimeve dhe evakuimin e civilëve nga rajonet separatiste pro-ruse të Donetsk dhe Luhansk.

Vendet Perëndimore akuzojnë Rusinë për grumbullimin e afër 150 mijë trupave pranë Ukrainës, duke shkaktuar frikë se ajo mund të planifikojë një ofensivë ushtarake kundër fqinjit të saj ish-sovjetik

Moska në mënyrë të përsëritur ka mohuar çdo plan për të pushtuar Ukrainën dhe ka akuzuar vendet perëndimore për minimin e sigurisë së Rusisë përmes zgjerimit të NATO-s drejt kufijve të saj.

Kategoritë
BotaLajme