Putin pas shpalljes së Nobelit: Trump po përpiqet “shumë” për të zgjidhur kriza të ndërlikuara

“Ka pasur raste kur komiteti i ka dhënë Çmimin Nobel për Paqe njerëzve që nuk kanë bërë asgjë për paqen”, tha presidenti rus, duke argumentuar se këto vendime, sipas tij, i kanë shkaktuar “dëm të madh” prestigjit të çmimit.

Presidenti rus Vladimir Putin tha se homologu i tij amerikan Donald Trump po bën “shumë” për të zgjidhur kriza të ndërlikuara në mbarë botën, pas ndarjes së Çmimit Nobel për Paqe për një udhëheqëse venezuelase të opozitës, megjithëse disa vende kishin propozuar emrin e Trumpit për këtë çmim, raporton Anadolu.

Gjatë një konference për shtyp në kryeqytetin e Taxhikistanit, Dushanbe, pas një vizite treditore në këtë vend të Azisë Qendrore që filloi të mërkurën në mbrëmje, Putin komentoi mbi ndarjen e Çmimit Nobel për Paqe, duke thënë se nuk është në dorën e tij të vendosë se kush e merr çmimin.

“Ka pasur raste kur komiteti i ka dhënë Çmimin Nobel për Paqe njerëzve që nuk kanë bërë asgjë për paqen”, tha Putin, duke argumentuar se këto vendime, sipas tij, i kanë shkaktuar “dëm të madh” prestigjit të çmimit.

Ai tha se për pasojë, Komiteti i Nobelit e ka humbur “autoritetin” e tij, ndërsa shmangu t’i përgjigjej pyetjes nëse Trump e meriton çmimin.

“Por ai me të vërtetë po bën shumë për të zgjidhur kriza kaq të ndërlikuara që zgjasin me vite, madje me dekada”, shtoi presidenti rus, duke përmendur situatën në Gaza dhe duke theksuar se do të ishte një “ngjarje historike” nëse zbatohet plani 20-pikësh i Trumpit për enklavën.

Sa i përket Ukrainës, Putin përsëriti bindjen e tij se Trump “është sinqerisht i përkushtuar” për t’i dhënë fund luftës trevjeçare e gjysmë në vend.

Më herët gjatë ditës, Komiteti Norvegjez i Nobelit ia dha Çmimin Nobel për Paqe 2025 udhëheqëses velezuelase të opozitës Maria Corina Machado.

Kategoritë
BotaLajme