Protesta pro-palestineze janë mbajtur në qytetet kryesore anembanë Amerikës Veriore, Amerikës Jugore dhe asaj qendrore, duke u mbledhur mijëra demonstrues për të shënuar përvjetorin e dytë që nga fillimi i sulmeve gjenocidale të Izraelit në Gaza
Protesta pro-palestineze janë mbajtur në qytetet kryesore anembanë Amerikës Veriore, Amerikës Jugore dhe asaj qendrore, duke u mbledhur mijëra demonstrues për të shënuar përvjetorin e dytë që nga fillimi i sulmeve gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës, rapoton Anadolu.
Në Çikago të SHBA-së, anëtarët e Rrjetit të Komunitetit Amerikan të Palestinës (USPCN) zhvilluan një demonstratë para Konsullatës së Izraelit në Çikago, duke mbajtur flamuj dhe banderola palestineze, si dhe duke bërë thirrje për t’i dhënë fund operacioneve ushtarake të Izraelit në Gaza dhe duke shprehur solidaritet me popullin palestinez.
Në kryeqytetin meksikan Mexico City gjithashtu u tubuan qindra demonstrues, të cilët kërkuan t’i jepet fund operacioneve ushtarake në vazhdim dhe shprehën solidaritet me popullin e Gazës. Pjesëmarrësit gjithashtu dënuan sulmin ndaj Flotiljes Globale Sumud, duke bërë thirrje për llogaridhënie dhe veprim ndërkombëtar.
Mijëra njerëz gjithashtu marshuan në kryeqytetin argjentinas Buenos Aires në Amerikën Jugore, duke kërkuar që presidenti Javier Milei të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Izraelin në shenjë solidariteti me Palestinën. Marshimi, i monitoruar nga policia, ndryshoi rrugën e tij për të shmangur ambasadën izraelite, por përfundoi tërësisht paqësor.
Ndërkaq, në kryeqytetin venezuelian Karakas, protestuesit valëvitën flamuj palestinezë dhe venezuelianë, duke brohoritur slogane që dënonin veprimet e Izraelit. Ata i përshkruan sulmet dyvjeçare të Izraelit ndaj Gazës si gjenocid. Ish-nënpresidenti ekzekutiv i Venezuelës, Jorge Arreaza, mbajti një fjalim gjatë tubimit, duke shprehur solidaritet me popullin palestinez.
Izraeli për plotë 18 vite vazhdon ta mbajë Gazën në bllokadë, ku banojnë gati 2,4 milionë njerëz dhe e shtrëngoi më tej rrethimin në muajin mars, kur mbylli pikat kufitare dhe bllokoi shpërndarjen e ushqimit dhe ilaçeve, duke e çuar enklavën drejt urisë.
Që nga tetori i vitit 2023, bombardimet izraelite kanë vrarë të paktën 67.200 palestinezë në Gaza, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe e ka kthyer enklavën praktikisht në të pabanueshme.