Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila mori pjesë në hapje, para fëmijëve tha se sa herë hapet një libër, hapen edhe dritaret e botës, ato të imagjinatës dhe dijes.
Me një atmosferë plot pritshmëri dhe emocion, është hapur edicioni i tretë i Festivalit dhe Panairit të Librit për Fëmijë, i organizuar nga organizata joqeveritare “ETEA” në bashkëpunim me Bibliotekën “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë, raporton Anadolu.
Ngjarja e cila do të zhvillohet nga 8 deri më 11 tetor në sheshin “Zahir Pajaziti”, mblodhi nxënës rreth stendave ku janë ekspozuar qindra tituj librash.
Gjatë panairit, fëmijët i pret një panair i pasur me libra, aktivitete artistike e rekreative, lojëra dhe kënde argëtimi, takime me artistë dhe programe kulturore.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila mori pjesë në hapje, para fëmijëve tha se sa herë hapet një libër, hapen edhe dritaret e botës, ato të imagjinatës dhe dijes.
Osmani tha se leximi nuk është vetëm një detyrë por një aventurë e vërtetë.
“Të gjithë ju që lexoni sot, nesër do të jeni qytetarë të ditur, qytetarë të mençur dhe qytetarë të ndershëm të këtij vendi. Ju do ta ndërtoni Kosovën shumë më të zhvilluar ndaj kjo është arsyeja pse duhet të lexoni çdo ditë, qoftë edhe një faqe të vetme, sepse, çdo faqe e ka fuqinë që të ndryshojë diçka brenda nesh”, tha Osmani.
Agon Ahmeti nga ETEA tha se libri dhe leximi është i rëndësishëm për ndërtimin e personalitetit, sidomos tek fëmijët.
“Të bëhesh mbi të gjitha njeri i mirë e i dashur për vetën së pari, për familjen, për shokë dhe shoqet por edhe për vendin ku jetojmë”, theksoi Ahmeti.
Biblioteka “Hivzi Sylejmani”, si pjesë organizative e kësaj feste, do të jetë e pranishme me disa ngjarje, duke përfshirë anëtarësimin falas për fëmijë, promovimin e librave, shpalljen e lexuesve të vitit.
Festivali do të jetë i hapur çdo ditë nga ora 10 e mëngjesit deri në 6 të mbrëmjes.