Osmani para nisjes së samitit tha për gazetarët se ky samit do të jetë mundësi e madhe për të diskutuar rreth kërcënimeve që vijnë nga Rusia në botë si dhe nga Serbia në rajonin e Ballkanit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një adresim për media në kuadër të Samitit të Komitetit Politik Evropian që po mbahet në Danimarkë, tha se Rusia dhe aleatja e saj, Serbia, paraqesin kërcënim për Kosovën duke i bërë thirrje BE-së “të mos e shpërblejë Beogradin”.
Osmani para nisjes së samitit tha për gazetarët se ky samit do të jetë mundësi e madhe për të diskutuar rreth kërcënimeve që vijnë nga Rusia në botë si dhe nga Serbia në rajonin e Ballkanit.
Presidentja kosovare deklaroi se Beogradi i kopjon veprimet e Moskës.
“Serbia i trajton shtetet fqinje si shtete që nuk ekzistojnë, si shtete të përkohshme, si shtete ndaj të cilave ajo vepron me agresion. Është kopje e metodave të Rusisë. Fatkeqësisht, Rusia e përkrah Serbinë në këto veprime. Tradicionalisht dhe për shekuj të tërë, ata kanë përdorur një koncept të ngjashëm: Rusia flet për ‘Rusinë e Madhe’ dhe ‘Botën Ruse’, Serbia për ‘Serbinë e Madhe’ dhe ‘Botën Serbe’ dhe përdorin të njëjtat metoda. Pra, për ne të dyja paraqesin kërcënim”, tha Osmani.
Presidentja Osmani e përmendi edhe dyvjetorin e sulmit të armatosur në Banjskë të Komunës së Zveçanit, ku u vra zyrtari policor Afrim Bunjaku.
Për këtë rast, Osmani tha se BE-ja vazhdon të kërkojë llogaridhënie, por, ka pasur zero llogaridhënie dhe “është koha që ata t’i shndërrojnë fjalët në veprime”.
Sipas saj, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka tentuar ta kopjojë udhëheqësin rus Vlladimir Putin, “duke përdorur taktika të agresionit dhe destabilizimit ndaj fqinjëve dhe për këtë arsye është e rëndësishme që shtetet anëtare të BE-së ta kuptojnë se shpërblimi i Serbisë për qëndrimin me Rusinë nuk është rruga përpara”.
“Shtetet që janë harmonizuar 100 për qind me BE-në duhet të shpërblehen, jo ato që kanë zgjedhur Moskën si rrugë përpara”, shtoi Osmani. Presidentja kosovare po merr pjesë në Samitin e liderëve të Komunitetit Politik Evropian bashkë me 45 liderë evropianë përfshirë edhe ata të institucioneve të BE-së.
Komuniteti Politik Evropian (KPE) është një platformë për liderët evropianë ku diskutohen çështjet kryesore me të cilat përballet kontinenti.
I nisur në vitin 2022, KPE-ja synon t’i forcojë lidhjet politike dhe ekonomike në gjithë Evropën, të ofrojë zgjidhje për sfidat e përbashkëta dhe ta thellojë bashkëpunimin ndërmjet vendeve të BE-së dhe atyre jashtë saj.