Presidentja Osmani dekoron me medalje nderi presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino pasi mori medaljen presidenciale tha se atë ia dedikon ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit si dhe popullit kosovar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ndarë medalje nderi presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, për kontributin e dhënë në rrugën e futbollit kosovarë në arenën ndërkombëtare, raporton Anadolu.

Presidentja Osmani tha se rrugëtimi i Kosovës në futboll ka qenë i vështirë dhe ka nisur nga stadiume me baltë dhe rrugë të qyteteve dhe fshatrave me vetëm një top.

Osmani tha se anëtarësimi i Kosovës në FIFA ishte historik dhe mundësi që Kosova ta ndajë historinë e futbollit me botën. Ajo tha se të shikosh sot kombëtaren kosovare është simbol i arritjes së madhe, përmes sakrificës, miqësisë dhe mbështetjes e cila e solli Kosovën sot në këtë vend, siç është Infantino.

“Keni treguar përmes veprave tuaja se lidershipi në sport nënkupton gjithashtu edhe lidership në vlera. Mbështetja juaj ka ndihmuar në transformimin e futbollit të Kosovës në një burim krenarie për Kosovën, globalisht. Dhe, për këtë, populli i Kosovës do të jetë gjithmonë falënderues”, tha Osmani.

Pas fjalës së presidentes, para të pranishmëve ku ishin edhe lojtarët e kombëtares kosovare, u shfaq një spot ku u shfaq shkurtimisht rrugëtimi i Kosovës drejt anëtarësimit në FIFA.

Presidenti i FIFA-s, Infantino pasi mori medaljen presidenciale tha se atë ja dedikon ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit si dhe popullit kosovar. Ai theksoi se në fillim ka qenë e vështirë të takosh dikë nga Kosova, për shkak të paragjykimeve se a ishte apo jo Kosova një shtet i vërtetë, por, ai e bëri një gjë të tillë duke u takuar në fillim të rrugëtimit me Fadil Vokrrin.

“E kuptova qëndrueshmërinë dhe guximin e popullit të Kosovës që beson në vendin e tyre, që beson në atë që dëshiron dhe kjo qëndrueshmëri solli në mënyrë efektive anëtarësimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA”, tha Infantino.

Gianni Infantino në Kongresin e tij të parë si president, në vitin 2016, shpalli Kosovën anëtare të barabartë të FIFA-s, një moment ky historik që e ndryshoi përgjithmonë rrugëtimin e Kosovës në futboll.

Po ashtu, nën udhëheqjen e Infantinos, FIFA ka ofruar mbështetje të madhe për FFK-në përmes programit “FIFA Forward”, duke ndihmuar në ndërtimin e infrastrukturës, zhvillimin e të rinjve dhe ngritjen profesionale të futbollit në Kosovë.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi