“Ky është një moment për paqe dhe ripërtëritje në Lindjen e Mesme. Plani për armëpushim në Gaza duhet të respektohet dhe zbatohet plotësisht”, tha Metsola
Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola bëri thirrje të premten që plani për armëpushim në Rripin e Gazës të respektohet dhe të zbatohet plotësisht, transmeton Anadolu.
“Ky është një moment për paqe dhe ripërtëritje në Lindjen e Mesme. Ai hap një rrugë që më në fund mund t’i japë fund ciklit ndërgjeneracional të dhunës, vuajtjeve dhe terrorit që ka pllakosur rajonin. Duhet të respektohet dhe zbatohet plotësisht”, tha Metsola gjatë Konferencës së Rigës në Letoni.
Ajo përsëriti gjithashtu se ata e kanë mirëpritur marrëveshjen.
Qeveria izraelite miratoi marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës dhe për të shkëmbyer pengjet me fraksionet palestineze, tha Zyra e kryeministrit izraelit në një deklaratë të premten në mëngjes.
Një armëpushim hyri në fuqi menjëherë pas miratimit nga Izraeli, sipas mediave izraelite.
Më 29 shtator, Trump zbuloi një plan armëpushimi prej 20 pikash për Gazën që përfshin lirimin e të gjithë pengjeve izraelite në këmbim të rreth 2.000 të burgosurve palestinezë, një armëpushim të përhershëm dhe një tërheqje graduale të forcave izraelite nga i gjithë Rripi i Gazës.
Një fazë e dytë e planit kërkon krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës në Gaza pa pjesëmarrjen e grupit palestinez Hamas, formimin e një force sigurie që përfshin palestinezë dhe trupa nga vendet arabe dhe islame, dhe çarmatimin e Hamasit. Ai përcakton financimin arab dhe islam për administratën e re dhe rindërtimin e enklavës, me pjesëmarrje të kufizuar nga Autoriteti Palestinez.
Vendet arabe dhe muslimane, në përgjithësi e kanë mirëpritur planin, por disa zyrtarë kanë thënë se shumë detaje në të kanë nevojë për diskutim dhe negociata që të zbatohen plotësisht.
Që nga tetori i vitit 2023, sulmet izraelite kanë vrarë gati 67.200 palestinezë në enklavë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe e kanë bërë atë të pabanueshme.