Presidenti i Maldiveve: Detyra jonë nuk do të konsiderohet e plotë derisa Palestina të jetë e lirë

“Izraeli duhet të detyrohet të japë llogari përmes presionit politik, sanksioneve dhe kufizimeve për të kuptuar se krime të tilla nuk do të tolerohen”, tha Mohamed Muizzu

Presidenti i Maldiveve, Mohamed Muizzu deklaroi se vendi i tij do të mbante qëndrimin e tij të vendosur kundër Izraelit, duke thënë “Sovraniteti i vërtetë nuk mund të matet nga madhësia ose fuqia ushtarake e një vendi, por nga vullneti për t’i qëndruar besnik ndërgjegjes së tij edhe nën presion”.

Mohamed Muizzu fitoi në zgjedhjet presidenciale të vitit 2023 si kandidat i Kongresit Kombëtar Popullor (PNC). Menjëherë pas marrjes së detyrës, Muizzu urdhëroi tërheqjen e personelit ushtarak indian të vendosur në ishull për të menaxhuar helikopterët e dhuruar nga India për Maldivet.

Në prill, Muizzu u ndaloi mbajtësve të pasaportave izraelite të hynin në Maldive dhe i përshkroi sulmet izraelite ndaj anijeve civile që transportonin ndihmë humanitare në ujërat ndërkombëtare si “fyerje ndaj ligjit ndërkombëtar”.

Muizzu iu përgjigj pyetjeve të gazetarit të Agjencisë Anadolu (AA) në lidhje me gjenocidin që Izraeli po i shkakton popullit palestinez në Gaza që nga 8 tetori 2023 dhe joefektivitetin e komunitetit ndërkombëtar kundër Izraelit.

Ai theksoi që ligji ndërkombëtar të ketë ndonjë kuptim, ai duhet të zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjitha vendet. “Komuniteti ndërkombëtar tani duhet të shkojë përtej fjalëve të thjeshta të dënimit dhe të sigurojë zbatimin e paanshëm të ligjit ndërkombëtar. Izraeli duhet të detyrohet të japë llogari përmes presionit politik, sanksioneve dhe kufizimeve për të kuptuar se krime të tilla nuk do të tolerohen”, tha Muizzu.

Sipas tij, sovraniteti i vërtetë nuk matet nga madhësia ose fuqia ushtarake e një vendi, por nga vullneti i tij për t’i qëndruar besnik ndërgjegjes së tij edhe nën presion. Ai shtoi se shtetet e vogla kanë lirinë të flasin me qartësi morale sepse nuk janë të detyruara ndaj interesave të fuqive të mëdha.

Muizzu tha se qeveria e tij do të vazhdojë traditën dhjetëvjeçare të solidaritetit të Maldiveve me Palestinën.

“Ne u kemi ndaluar mbajtësve të pasaportave izraelite të hyjnë në Maldive. Ne kemi marrë pjesë në çështjen e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë kundër Izraelit. Ne do të vazhdojmë thirrjen tonë për shtet të pavarur palestinez bazuar në kufijtë e vitit 1967 me Kudsin Lindor si kryeqytetin e tij”, tha presidenti i Maldiveve duke shtuar:

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim anëtarësimin e plotë të Palestinës në Kombet e Bashkuara (OKB). Ne do të marrim pjesë aktive në platformat ndërkombëtare për të siguruar që kauza palestineze të mos harrohet kurrë dhe që drejtësia të vihet në vend. Detyra jonë nuk është e plotë derisa Palestina të jetë e lirë”.

Muizzu potencoi se institucione të tilla si OKB-ja dhe gjykatat ndërkombëtare nuk janë në thelb të dobëta, por dobësohen nga shtetet e fuqishme që refuzojnë t’i lejojnë ato të funksionojnë siç synohet. Ai tha derisa disa qeveri ndihen të kufizuara nga këto institucione për shkak të interesave tregtare ose të sigurisë, lidershipi vihet në provë nga qëndrimi i tyre në momente të tilla.

– “Hedhim poshtë kategorikisht idenë se parimet mund të sakrifikohen për fitim”

Muizzu tha se kur një vend i vogël si Maldivet merr vendime kundër Izraelit, kjo është deklarim i një parimi përtej të qenit një simbol. Ai shtoi se qëndrimi i Maldiveve nuk do të ndryshonte edhe nëse do të qëndronte vetëm, por se ndikimi kumulativ i më shumë vendeve që marrin qëndrime kaq vendimtare do të ishte i pamohueshëm.

“Asnjë interes ekonomik apo llogaritje strategjike nuk mund të arsyetojë kurrë heshtjen përballë gjenocidit. Nëse fitimi financiar ose komoditeti politik është më i madh se jeta e burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm, atëherë ne si një komunitet global, kemi humbur busullën tonë morale”, tha ai.

Muizzu tha se ai e hedh poshtë kategorikisht idenë se parimet mund të sakrifikohen për fitim, duke paralajmëruar se ata që ndryshojnë drejtësinë në avantazh në kohën kur nevojitet guxim, do të mbahen mend si ata që “qëndrojnë në anën e shtypjes”. “Sovraniteti i vërtetë nuk matet nga madhësia ose fuqia ushtarake e një vendi, por nga vullneti për të qëndruar besnik ndaj ndërgjegjes së dikujt edhe nën presion”, u shpreh ai.

“Për Maldivet, sovraniteti do të thotë liria për të vepruar në përputhje me ndërgjegjen dhe se edhe kombet më të vogla mund t’i kujtojnë botës përgjegjësinë e tyre ndaj njerëzimit duke zgjedhur drejtësinë”, tha Muizzu.

– “Maldivet do të vazhdojnë të qëndrojnë me popullin palestinez”

“Vendimi për të ndaluar hyrjen për mbajtësit e pasaportave izraelite nuk u mor lehtë dhe ishte zgjedhje e qëllimshme për të përafruar angazhimin tonë ndaj drejtësisë”, tha Muizzu duke shtuar se ndikimi i këtij vendimi duhet të matet jo nga rezultatet e tij të menjëhershme të prekshme, por nga shembulli i tij i lidershipit.

Ai kujtoi se Palestina mban një vend të veçantë në zemrat e popullit maldivian dhe se vendi i tij mbrojti të drejtën e popullit palestinez për shtetësi dhe vetëvendosje që para tetorit 2023.

Presidenti i Maldiveve, Mohamed Muizzu e përfundoi fjalimin duke thënë: “Llogaridhënia për krimet e Izraelit ende nuk është siguruar. Kjo për shkak se shumë shtete kanë lënë mënjanë qartësinë morale dhe kanë bërë prioritet interesat e tyre politike. Ekzistojnë mekanizma për të mbrojtur rendin ligjor ndërkombëtar, por kur vendet e fuqishme e mbrojnë Izraelin nga sanksionet, këto mekanizma dobësohen dhe drejtësia vonohet”.

“Edhe kur merren vendime të detyrueshme, pa vullnet të përbashkët për t’i zbatuar ato, ato nuk janë gjë tjetër veçse gjeste boshe. Maldivet do të vazhdojnë të ngrenë zërin e Palestinës dhe të qëndrojnë me popullin palestinez në çdo platformë derisa të arrihet drejtësia dhe liria”.

Kategoritë
BotaLajme