Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, ka vendosur që për momentin të mos i japë falje kryeministrit Benjamin Netanyahu, por dëshiron të ndërmjetësojë për arritjen e një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë, në mënyrë që të përfundojë procesi gjyqësor shumëvjeçar ndaj tij.
Herzog deklaroi të dielën se kërkesën për falje do ta shqyrtojë vetëm pasi të jenë shteruar të gjitha përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje mes palëve, çka do të thotë se vendimi nuk pritet së shpejti. Ai konsideron se një marrëveshje e tillë do të ishte zgjidhja më e mirë në këtë rast.
“Në këtë mënyrë, presidenti beson se para shqyrtimit të vetë kërkesës për falje duhet të shterohen përpjekjet për të arritur një marrëveshje mes palëve, jashtë sallës së gjyqit”, thuhet në deklaratën e tij.
Kjo deklaratë vjen pasi The New York Times raportoi se Herzog planifikon të nisë ndërmjetësimin për arritjen e një marrëveshjeje, gjë që do ta shtynte edhe më tej vendimin për faljen e mundshme.
Netanyahu, i cili mohon akuzat për ryshfet, mashtrim dhe shpërdorim të besimit, përballet me probleme gjyqësore prej gati një dekade. Procesi, i cili ka filluar në vitin 2020, ka polarizuar fort shoqërinë izraelite dhe ka ndikuar në skenën politike, të shënuar me pesë cikle zgjedhore mes viteve 2019 dhe 2022. Zgjedhjet e radhës pritet të mbahen deri në fund të tetorit 2026.
Nga zyra e presidentit nuk është konfirmuar nëse negociatat për marrëveshje tashmë kanë filluar, ndërsa nga kabineti i Netanyahut nuk ka pasur komente.
Kryeministri ka paraqitur kërkesën për falje në nëntor. Sipas ligjit izraelit, presidenti ka kompetencë të falë personat e dënuar, por nuk ekziston precedent për një vendim të tillë gjatë zhvillimit të një gjykimi.
Mbështetje për faljen e Netanyahut ka shprehur më herët disa herë edhe presidenti amerikan Donald Trump, përfshirë periudhën në mars gjatë tensioneve me Iranin, kur gjykimi ishte pezulluar përkohësisht.
Netanyahu pritet të rikthehet në sallën e gjyqit që këtë javë, duke vazhduar procesin në të cilin ai është bërë kryeministri i parë në detyrë i Izraelit i akuzuar për vepra penale.










