Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, gjatë një konference të përbashkët për media në Ankara me kancelarin gjerman, Friedrich Merz, ka kritikuar ashpër veprimet e Izraelit në Gaza dhe i ka bërë thirrje Gjermanisë të bashkohet me përpjekjet për t’i dhënë fund krizës humanitare në enklavë, raporton Anadolu.
Merz, i cili formoi qeverinë e re të koalicionit të Gjermanisë në muajin maj, ndodhet në vizitën e tij të parë në kryeqytetin turk.
“(Hamasi) nuk ka as bomba dhe as armë bërthamore, por Izraeli ka dhe i përdori ato për të goditur Gazën dje. Si Gjermani, a nuk e shihni këtë?”, u shpreh Erdogan.
Presidenti turk tha se i përcolli pikëpamjet e Ankarasë kancelarit gjerman për parandalimin e mizorive të reja në Gaza dhe theksoi mbështetjen për një zgjidhje me dy shtete si një rrugë drejt paqes së qëndrueshme.
“Ashtu siç duam që lufta Rusi-Ukrainë të përfundojë, ne gjithashtu mbështesim fundin e luftës së Izraelit në Gaza”, tha Erdogan duke shtuar se “Turqia dhe Gjermania janë dy vende kyçe që mund të bashkojnë forcat për ta arritur këtë”.
Më tej, Erdogan dënoi sulmet e vazhdueshme të Izraelit në Gaza, duke theksuar se Izraeli “gjithmonë ka kërkuar të nënshtrojë (territorin) përmes urisë dhe asaj që përbën gjenocid dhe kjo vazhdon edhe sot e kësaj dite”.
“Ne duhet t’i japim fund gjenocidit dhe urisë së qëllimshme (në Gaza) me përfshirjen e Kryqit të Kuq të Gjermanisë dhe Gjysmëhënës së Kuqe Turke”, tha ai.
Që nga tetori i vitit 2023, Izraeli në sulmet në Rripin e Gazës ka vrarë të paktën 68.500 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe ka plagosur më shumë se 170.600 të tjerë.







