Polonia paralajmëron: Mund të sekuestrojmë avionin e Putinit nëse hyn në hapësirën tonë ajrore

Ministri i Jashtëm polak, Sikorski tha se avioni i Putinit mund të sekuestrohet gjatë rrugës për në takimin me Donald Trumpin në Budapest

Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaw Sikorski tha se Varshava sipas ligjit ndërkombëtar, mund të sekuestrojë avionin e presidentit rus, Vladimir Putin nëse ai hyn në hapësirën ajrore polake gjatë rrugës për në takimin e planifikuar me presidentin e SHBA-së, Donald Trump në Budapest, transmeton Anadolu.

“Ne nuk jemi në gjendje të garantojmë që një gjykatë e pavarur nuk do t’i urdhërojë qeverisë të ndalojë një avion të tillë për të sjellë të dyshuarin në Gjykatën e Hagës”, tha Sikorski për “Radio Rodzina” në Varshavë.

Komenti i tij vjen teksa Kremlini po eksploron korridore jo-BE për në Hungari për një samit në Budapest dhe ndërsa disa zyrtarë të BE-së kritikojnë optikën e pritjes së Putinit brenda BE-së.

Në OKB në shtator, Sikorski i tha Moskës “ju jeni paralajmëruar” kundër ndërhyrjeve në hapësirën ajrore të NATO-s.

Që nga marsi i vitit 2023, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJND) ka lëshuar urdhër arresti për Putinin për deportimin e paligjshëm të fëmijëve ukrainas e cila është krim lufte sipas Statutit të Romës. Shtetet palë të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) janë të detyruara të arrestojnë dhe dorëzojnë një person të kërkuar të pranishëm në territorin e tyre.

Që nga shkurti, një zonë ndalim-fluturimi për avionët rusë ka qenë në fuqi në të gjithë territorin e BE-së. Kjo ka ngjallur spekulime rreth rrugës që Putini mund të ndjekë për në Hungari. Kur u pyet për këtë, Sikorski tha se Hungaria, një anëtare e BE-së, mund të arrihet nga Rusia, për shembull, nëpërmjet hapësirës ajrore të Turqisë, Malit të Zi dhe Serbisë.

Hungaria ka njoftuar se do të tërhiqet nga GJND-ja, por kjo tërheqje nuk do të hyjë në fuqi deri në mesin e vitit 2026. Deri atëherë, Hungaria mbetet e detyruar ndaj detyrimeve të GJND-së.

Në vitin 2023, Putini qëndroi larg një samiti të BRICS-it pasi Afrika e Jugut tha se do të ishte e detyruar ta arrestonte atë si anëtar të GJND-së. Gjithashtu në vitin 2023, presidenti rus udhëtoi në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite, të cilat nuk janë anëtare të GJND-së.

Gjithashtu, GJND-ja lëshoi urdhërarrest edhe për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në vitin 2024.

Kategoritë
BotaLajme