Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë Rajonale në Prizren, ka marrë pjesë në marshin sensibilizues të organizuar për vetëdijesimin e grave në luftën kundër kancerit të gjirit.
Aktiviteti u organizua nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prizren, në bashkëpunim me OJQ “Gratë Burrnesha”.
Marshi nisi nga QKMF-ja nën moton “Guxim, shpresë, jetë – Ecim së bashku” dhe përfundoi në sheshin e Lidhjes, ku u mbajt edhe një ceremoni mbështetëse.
Në këtë ngjarje morën pjesë zyrtarë institucionalë, përfaqësues të organizatave lokale si dhe gra të prekura nga kjo sëmundje, duke shprehur solidaritet dhe mbështetje për të gjitha të prekura nga kanceri i gjirit.
Policia e Kosovës theksoi se pjesëmarrja në aktivitete të tilla dëshmon përkushtimin e saj për të qenë pranë qytetarëve, për të mbështetur kauza humane dhe për të kontribuar në ndërtimin e një shoqërie më të ndërgjegjshme dhe të barabartë.