



Policia në rajonin lindor të Burgenlandit njoftoi se një kavanoz i helmuar me pure karrote dhe patate u raportua nga një blerës dhe, fatmirësisht, foshnja e tij nuk e kishte konsumuar ushqimin.
Autoritetet besojnë se në qarkullim mund të jetë të paktën edhe një kavanoz tjetër i helmuar dhe kanë dhënë udhëzime se si të identifikohen kavanozët e hapur.
Në njoftimin e policisë, të transmetuar nga BBC, thuhet se paralajmërimi erdhi nga hetues gjermanë dhe se kavanozë të paautorizuar janë sekuestruar edhe në Çeki dhe Sllovaki.
Të shtunën, HiPP tërhoqi nga tregu të gjithë gamën e pureve në kavanoz që shiten në supermarketet e Austrisë, duke theksuar se konsumimi i tyre mund të jetë potencialisht “i rrezikshëm për jetën”.
“Tërheqja lidhet me një vepër penale që po hetohet nga autoritetet”, thuhet në faqen e tyre zyrtare.
Autoritetet austriake këshilluan konsumatorët të kontrollojnë kapakë të dëmtuar ose të hapur, mungesën e vulës së sigurisë, erë të pazakontë ose të prishur, si dhe një etiketë të bardhë me rreth të kuq në pjesën e poshtme të kavanozit të qelqit.
Agjencia austriake për shëndetin dhe sigurinë ushqimore paralajmëroi prindërit që, nëse foshnjat e tyre kanë konsumuar ushqim të kësaj marke, të konsultohen me mjekun nëse fëmijët shfaqin shenja gjakderdhjeje, dobësi ekstreme ose zbehje.
Edhe tregtarët në Çeki dhe Sllovaki kanë tërhequr në mënyrë parandaluese nga shitja të gjitha kavanozët e ushqimit për bebe të markës HiPP.
Incidenti ndodhi vetëm disa muaj pasi dy marka të tjera për bebe u detyruan të tërhiqnin nga tregu qumështin e përshtatur për shkak të dyshimeve për kontaminim.