Peshkatarët turq gjetën një dron detar ukrainas, ushtria e mori për ekzaminim

Natën e 30 shtatorit, peshkatarë turq pranë qytetit Trabzon gjetën një dron detar ukrainas të tipit Magura, i cili u tërhoq në breg. Për këtë u njoftua roja bregdetare, por edhe ushtria, e cila mori dronin.

Për shkak të rrezikut se droni mund të kishte ende ngarkesë shpërthyese, ushtria turke e transportoi atë në portin Yoroz për hetime të mëtejshme.

Në zonën më të gjerë ku u gjet droni detar, roja bregdetare kufizoi hyrjen e civilëve për shkak të rreziqeve të mundshme të sigurisë.

Fotografitë e publikuara nga mediat turke tregojnë një dron detar me dëmtime të vogla në antenën përmes së cilës kontrollohet në distancë.

Marina ukrainase përdor këta dronë detarë me sukses të madh në operacionet kundër flotës detare ruse të Detit të Zi.

Secili nga këta dronë detarë mund të mbajë deri në 300 kilogramë eksploziv, një sasi e mjaftueshme për të dëmtuar rëndë çdo anije të madhe.

Nga ana tjetër, kjo nuk është hera e parë që dronë detarë apo ajrorë ukrainas dhe rusë kanë mbërritur deri në brigjet turke ose kanë rënë në territorin e Turqisë. Në korrik 2024, në brigjet turke kishte mbërritur një dron detar i paidentifikuar dhe i improvizuar, ndërsa që nga fillimi i luftës janë gjetur disa dronë ajrorë rusë të tipit Orlan në territorin e Turqisë.

Kategoritë
BotaLajme