Aktivistja suedeze Greta Thunberg ndodhet në kushte të vështira në një burg izraelit, sipas pretendimeve të shfaqura në një korrespondencë mes ministrisë së jashtme suedeze dhe bashkëpunëtorëve të saj, të cilën e ka parë Guardian.
“Ambasada ka arritur të takohet me Gretën. Ajo informoi se është e dehidratuar. Nuk ka marrë mjaftueshëm ujë as ushqim,” thuhet në një email që ministria u dërgoi personave pranë Thunberg.
Ajo gjithashtu ka deklaruar se ka marrë një skuqje të lëkurës, për të cilën dyshon se është shkaktuar nga morrat e shtratit.
“Ajo foli për trajtim të ashpër dhe tha se kishte qëndruar gjatë ulur mbi sipërfaqe të forta,” thuhet më tej.
Aktivistët e arrestuar këtë javë nga flotilja ndodhen në burgun Ketziot në Negev.
Shërbimi izraelit i burgjeve, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit dhe ministria e jashtme izraelite nuk iu përgjigjën kërkesës së Guardian për koment.